Qytetarët e Kosovës janë të frustruar me Gjykatën Speciale, kanë frikë se mund të rishkruhet historia e luftës për liri, thuhet në analizën ndërkombëtare

04 maj 2023 | 13:46

Gjykimi në Hagë shihet si një proces kundër UÇK-së në tërësi dhe luftës së shqiptarëve. Kosovarët kanë frikë se Gjykata mund rishkruaj historinë e luftës së UCK-së dhe të barazoj krimet. Gjykata ndjek vetëm shqiptarë.  Për shumicën e shqiptarëve, krerët e UCK-se që janë akuzuar në Hage mbrojtën me guxim vendin kundër spastrimit etnik të Serbisë së Millosheviçit. Akuzat e Dick Martyt për trafikim organesh nuk duken askund.

Këto janë disa nga konstatimet e analizës rreth Gjykatës Speciale në Hagë, e publikuar më 2 maj 2023, në faqen e Këshillit Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare (ECRF), një institut me renome botërore, me seli në kryeqytetet e shteteve kryesore të Bashkimit Evropian.

“Krijimi i gjykatës ishte gjithashtu i diskutueshëm. Ideja për Dhomat e Specializuara u vu në lëvizje pasi politikani zviceran Dick Marty shkroi një raport për Këshillin e Evropës në vitin 2010, në të cilin ai pretendonte se udhëheqja e UÇK-së kishte kryer krime lufte, përfshirë trafikimin e organeve. Akuzat e Martit, veçanërisht ato për trafik organesh, fituan vëmendjen e medias mbarëbotërore dhe u përhapën gjerësisht nëpër kanalet e lajmeve të Rusisë dhe Serbisë. Por tani që gjykata është ngritur dhe funksionon, trafikimi i organeve nuk është përmendur në akuza apo në gjyq, duke bërë që shumë shqiptarë të Kosovës të vënë në dyshim qëllimet e gjykatës”, thuhet në këtë shkrim analitik.

Në shkrim rikujtohet se një ditë para fillimit të gjyqit ndaj ish-presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi,  mijëra shqiptarë të Kosovës dolën në rrugët e kryeqytetit, Prishtinë, duke mbajtur pankarta ku shkruhej “Kosova nuk mund të rishkruhet”, “Liria ka emër – UÇK” ose “Evropë, a je duke bërë shaka?”, dhe bën thirrje për drejtësi dhe jo politikë.

“Mijëra kosovarë kanë protestuar dhe kanë frike se Gjykata Speciale mund te shkaktoj dykuptimësi për të vërtetën dhe të barazoj përgjegjësinë e Serbisë dhe Kosovës gjatë luftës”, thuhet tutje, përcjellë “Epoka e re”.

Në vitin 2015, Kuvendi i Republikës së Kosovës themeloi Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare për të gjykuar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera gjatë dhe pas konfliktit. Por gjykata ka thelluar polemikën rreth ndjekjes penale të krimeve të luftës në Kosovë. Gjykata ka një mandat të kufizuar dhe deri më tani ka ndjekur penalisht vetëm shqiptarët e Kosovës.

Në analizë thuhet se përpjekjet e vetë Serbisë për të ndjekur penalisht krimet e luftës që nga viti 2017 kanë qenë të kufizuara. Juridiksioni i gjykatës thotë qartë se ajo ndjek penalisht individët për përgjegjësinë e tyre penale, por në Kosovë gjykimi kundër liderëve të UÇK-së shihet kryesisht si një proces kundër UÇK-së në tërësi dhe rezistencës shqiptare në luftë.

“Deri më tash kjo Gjykatë është duke shkaktuar kundërthënie dhe mund të komplikojë përpjekjet për pajtim mes Kosovës dhe Serbisë.”, potencohet në raport.

Për shumicën e shqiptarëve të Kosovës, ish-presidenti Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij që janë në gjyq e mbrojtën me guxim vendin kundër fushatës brutale të spastrimit etnik të Serbisë së Sllobodan Millosheviçit, gjatë së cilës mbi 800,000 civilë shqiptarë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre dhe mijëra u vranë dhe u përdhunuan. Nga 13,517 personat e vrarë në konflikt, 10,415 ishin shqiptarë, 2,197 serbë dhe 528 romë dhe komunitete të tjera. Askush nuk e mohon se pjesëtarë të veçantë të UÇK-së mund të kenë kryer krime apo nevojën për t’u përballur me drejtësinë. Në dhjetor, Dhomat e Specializuara dënuan një ish-komandant të UÇK-së me 26 vjet burgim për kryerjen e krimeve të luftës. Kosovarët e kuptojnë këtë vendim dhe pranojnë se krime të tilla nuk mund dhe nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar.

Megjithatë, ne raport thuhet se ata mbeten të frustruar që gjykata ndjek penalisht vetëm shqiptarët e Kosovës, ndërsa mijëra prej tyre ende presin të shohin autorët e tyre të ndiqen penalisht për krime lufte.

“Në vitet e fundit, Serbia dhe Kosova kanë lëvizur edhe më larg nga pajtimi, pjesërisht për shkak se qeveria serbe refuzon të pranojë rolin brutal që Serbia luajti në luftë. Perëndimi ka qenë në gjendje ta detyrojë Kosovën të ballafaqohet me të kaluarën e saj, por nuk ia ka dalë ta detyrojë Serbinë të bëjë të njëjtën gjë. Kjo fatkeqësisht mund t’i shërbejë retorikës revizioniste të qeverisë serbe për luftën. Dhe rrezikon të rrënjos më tej ndjenjat e armiqësisë midis dy vendeve dhe të parandalojë pajtimin”, thuhet tutje në analizën e botuar në ECRF, nga autorja kosovare, Tefta Kelmendi, e cila është koordinatore në këtë institut prestigjioz.

Themelimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe gjykimi zbulojnë sfidat e drejtësisë tranzicionale. Gjykata duhet të zgjasë mandatin e saj për të përfshirë krimet e kryera nga serbët në konflikt, gjë që do të krijonte besim në gjykatë dhe do të ndihmonte të dyja palët të përballen me të kaluarën. Përndryshe, duhet të fokusohet në arritjen e një vendimi të shpejtë për t’i lejuar shqiptarët të mbyllin këtë kapitull të historisë së tyre dhe të fillojnë të imagjinojnë paqen dhe pajtimin me Serbinë.

“Ndërkohë, Perëndimi duhet të përdorë levën e tij me Serbinë për të bërë presion mbi  udhëheqjen për të ndjekur penalisht kriminelët e luftës të rangut të lartë në Serbi. Në fund të fundit, pajtimi mes dy vendeve kërkon që të dyja palët të njohin përgjegjësinë e tyre për krimet e luftës të kryera në Kosovë. Perëndimi duhet ta mbështesë këtë proces në një mënyrë që të mos rrezikojë t’i shërbejë revizionizmit të luftës nga qeveria e Serbisë, theksohet në këtë raport./S.Z/.

Linku: https://ecfr.eu/article/trial-and-tribulation-the-complex-process-of-prosecuting-war-crimes-in-kosovo/

https://ecfr.eu/article/trial-and-tribulation-the-complex-process-of-prosecuting-war-crimes-in-kosovo/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e…