Qytetarët e Kosovës nuk kanë kufizime për hyrje në Mal të Zi

20 gusht 2021 | 14:54

Mali i Zi ka njoftuar se hyrja e qytetarëve të rajonit në këtë vend mbetet i pakushtëzuar dhe se në kufijtë malazez nuk kërkohet asnjë dokument që lidhet me pandeminë, përfshirë testin e Covidit apo certifikatën e vaksinimit.

Hyrja e pakushtëzuar vlen për banorët e Kosovës, Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut si dhe për qytetarët malazez që udhëtojnë nga këto vende.

Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar e Kosovës, në faqen e saj në “Facebook” ka njoftuar për vendimin e Malit të Zi duke thënë se “për të hyrë në Malin e Zi secili qytetar duhet të ketë me vete një nga katër provat, dëshmi të vaksinimit, testin negative apo atë antigjen”.

Kjo qendër nuk kishte sqaruar në njoftimin e saj se ky rregull nuk vlen për qytetarët e Kosovës. Postimi më pas është fshirë nga faqja e këtij institucioni.

Në fakt sipas Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi, kufizimet në qarkullim vlejnë për të gjitha vendet tjera, përveç atyre të rajonit ku përfshihet edhe Kosova.

“Nëse një person nuk ka asnjë nga këto katër dëshmi (vaksinimin me një ose të dyja dozat, një test negativ PCR jo më i vjetër se 72 orë, dëshmi se e ka kaluar Covid-19 ose një test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë), ai dërgohet në një izolim katërmbëdhjetë ditor që mund të përfundojë pas ditës së gjashtë të hyrjes në Mal të Zi përmes një testi PCR negativ”, ka thënë drejtori i Institutit, Igor Galiq. Masat e reja do të hyjnë në fuqi më 24 gusht.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nënshkruar sot…