“Qytetarët e Kosovës pritet të lëvizin pa viza nga 1 dhjetori 2023”
Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) ka mbajtur debatin me temën “Liberalizimi i vizave për Kosovën: Fillimi i fundit”, për të diskutuar disponimin në Bruksel dhe në vendet anëtare dhe për të analizuar rrugën e mbetur të Kosovës deri në liberalizimin e vizave.
Në hapje të debatit, Lura Limani, nga KFOS, ka bërë me dije se ky diskutimi është pjesë e serisë “Bisedat e Hapura”.
Ajo ka theksuar se së bashku me partnerët nga organizatat e shoqërisë civile për shumë vite kanë punuar që qytetarëve të Kosovës t’iu mundësohet të lëvizin lirshëm.
“Ne si Fondacion kemi punuar së bashku me partnerët tanë të shoqërisë civile me vite të tëra për njohjen e të drejtës shumë bazike të lëvizjes se lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen. Në vitin 2015 kemi zhvilluar një kampanjë mbarëkombëtare drejtuar Brukselit dhe shteteve anëtare, ku kemi mobilizuar mbi 50 mijë qytetarë të Kosovës, kemi nënshkruar peticion dhe e kemi dorëzuar në BE, me kërkese e vetme që tu njihet kjo e drejtë qytetarëve të Kosovës, të cilët janë të vetmit në Ballkanin Perëndimore që nuk e kanë të drejtën e lëvizjes”, ka thënë ajo.
Limani ka theksuar se duket se kjo e drejtë e mohuar për qytetarët e Kosovës është më afër se kurrë për t’u realizuar, dhe në këtë debat do të diskutohet se çka mund të pritet në muajt në vazhdim.
Gazetarët Gjeraqina Tuhina dhe Augustin Palokaj, të cilët raportojnë qe shumë vjet nga kryeqendra evropiane, kanë prezantuar analizën mbi procesin e liberalizimit të vizave të titulluar “Liberalizimi i vizave për Kosovën: Fillimi i fundit”.
Penalistët thanë se në rast të tensionimit të situatës në veri të vendit mund të ketë ndikim të shtet skeptike.
Tuhina vlerësoi se lufta në Ukrainë, agresioni rus, por edhe plotësimi i kritereve, kanë shtyrë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Në sytë tanë, ka pasur një lidhje joformale të liberalizimit me procesin e dialogut dhe jo asaj që ndodhi më vonë. Çfarë ndodhi më vonë ishte 13 tetori dhe fjala ETIAS ishte fjala më e kërkuar në Kosovë në Google. Diçka e papritur, por jo e palogjikshme”, ka deklaruar Tuhina.
Ajo ka thënë se Grupi Punues i Komisionit Evropian pritet të takohet me 16 nëntor, ku do të procedojë dokumentin për liberalizimin e vizave.
Prandaj, sipas Tuhinës, nëse nuk do të ketë kundërshtime nga shtetet anëtare, pritet që nga 1 dhjetori i vitit 2023 qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza.
Gazetari Augustin Palokaj ka thënë se nuk beson që dialogu ka qenë pengesë për liberalizimin e vizave.
Palokaj u shpreh se tani është koha e fundit e ankimit dhe vajtimit për mosliberalizim, ngase sipas tij, është koha e numërimit të ditëve kur do të ndodhë liberalizimi.
“Zakonisht në BE nuk ekziston një arsye, por shumë. Situata në Ukrainë ka bërë që të shtyhet procesi i liberalizimit, po ashtu edhe plotësimi i kritereve nga Kosova dhe vazhdimin e përmbushjes së kritereve. Fakti se janë bindur se Kosova, edhe pse nuk ka liberalizim, ka suksesin më të madh në pranimin e atyre që ilegalisht kanë qëndruar në BE”, ka thënë Palokaj.