Qytetarët e Pejës kërkojnë që të përmirësohet gjendja në arsim dhe shëndetësi
Deputetët e Kuvendit të Kosovës: Besa Gaxherri, Hajdar Beqa, Fatmire Kollçaku, Dukagjin Gorani, Muharrem Nitaj dhe Hykmete Bajrami, në vazhdën e aktivitetit “Ditët e Kuvendit”, kanë takuar në Pejë, qytetarë të kësaj ane, me të cilët bashkëbiseduan lidhur me nevojat, shqetësimet dhe kërkesat që ata kanë.
Takimi është mbajtur në teatrin profesional “Istref Begolli”, të këtij qyteti, ndërkaq, qytetarë të shumtë pejan, nga përfaqësuesit e tyre parlamentar kërkuan sqarime dhe ngritën çështje për të cilat, ata janë të preokupuar në jetën e përditshme.
Me këtë rast, ndër çështjet për të cilat u shfaq interesim më i madh nga qytetarët ishte ajo e procesit të bisedimeve me Serbinë, rruga Deçan-Plavë, gjendja në shëndetësi dhe arsimin në të gjitha nivelet, turizmi, gjendja e ambientit, si dhe çështje të tjera nga fushë veprimtaria e deputetëve, të cilët edhe iu përgjigjën interesimit të tyre.
Deputetët i njoftuan qytetarët e Pejës edhe për ecurinë dhe procesin e miratimit të disa projektligjeve, për të cilat gjatë debatit të pranishmit shfaqën interesim.
Në fund të këtij takimi, u vlerësua se bashkëbisedimi ndërmjet qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre është i dobishëm, andaj, u tha me këtë rast se, praktikat si kjo e sotmja duhet ndjekur edhe në të ardhmen.
Takimi është mbajtur me iniciativë të Forumit për Transparencë Parlamentare.