Qytetarët e Skenderajt kërkojnë investime në infrastrukturë dhe bujqësi
Komuna e Skenderajt ka mbajtur dëgjim publik për kornizën afatmesme buxhetore 2019/21 mbi bazën e qarkores buxhetore 2019/01 të Ministrisë së Financave, si dhe projeksionet fillestare të projekteve kapitale që do të përfshihen në projektbuxhetin e kësaj komune.
Në këtë dëgjim publik kanë marrë pjesë, nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Fatbardha Haliti, drejtorë të drejtorive komunale, kryetarë të fshatrave, përfaqësues të lagjeve, qytetarë, profesionistë dhe përfaqësues nga OSBE-ja.
Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku, ka folur për rëndësinë e kornizës afatmesme buxhetore.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Financa Ekonomi dhe Zhvillim, Mehmet Berisha, ka thënë se qëllimi i këtyre dëgjimeve është që qytetarët të paraqesin nevojat dhe prioritetet e investimeve në secilin lokalitet, me qëllim që në planifikimet buxhetore të hyjnë projektet që janë me interes të tyre.
Ai ka kërkuar nga qytetarët që të kontribuojnë me propozime për investime në projekte konkrete, të cilat do të shqyrtohen nga ekzekutivi i Komunës së Skenderajt. Gjatë dëgjimit publik, qytetarët kanë bërë propozime dhe kërkesa konkrete për nevojat në investime, qoftë në infrastrukturë apo edhe në subvencionime, të cilat do të përfshihen në projeksionet fillestare të investimeve kapitale në kornizën afatmesme buxhetore 2019/21.
/Epoka e re/