Qytetarët e zhgënjyer me Kurtin për “pranimin e Asociacionit”
Qytetarët e intervistuar nga “Ekonomia Online” janë shprehur të zhgënjyer me kryeministrin Albin Kurti në lidhje me pranimin e draftit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Sipas tyre, shefi i ekzekutivit nuk e ka mbajtur fjalën për këtë çështje dhe se ka gënjyer kur ka thënë se nuk do ta pranojë.
Murat Gerbeshi ka thënë se kryeministri Kurti nuk i ka mbajtur kurrë fjalët dhe se serbët kanë më shumë të drejta se sa shqiptarët.
“Kurrë Kurti fjalët nuk i ka mbajtur dhe ka për t’i ndërruar sa të jetë gjallë. Serbët nga fillimi kanë më shumë të drejta se ne. Pse mos ta paguajnë rrymën, tatimin dhe ujin. A nuk janë këto të drejta shumë?”, pyeti ai.
Ndërsa Enver Latifi ka akuzuar Kurtin se po e mban të fshehur draftin e Asociacionit. “I ka ndërruar fjalët. Sa ka mundur ka gënjyer, e po vazhdon të gënjej. Gjithashtu po e fsheh draftin dhe nuk po e tregon. Nuk po e di kurrkush asgjë”, u shpreh ai, duke shtuar se: “Serbëve po ju jep më shumë të drejta se sa neve. E kanë bordin e vet, e kanë kryetarin e vet, e kanë flamurin e vet, i kanë të gjitha”, ka thënë ndër të tjera Latifi.
Ndërsa Fatmir Bahriu ka besim të plotë në kryeministrin Kurti në lidhje me Asociacionin. “E ka mirë e do të bëhet mirë me siguri. Serbët pa fituar diçka nuk bën por jo çka kërkojnë ata, duhet me pas kujdes. Kurti është i kujdesshëm për këto punë edhe do t’i kryen këto punë”, është shprehur Bahriu.
Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka theksuar se bisedimet me Serbinë kanë hyrë në fazën e një transparence të munguar nga kryeministri Albin Kurti dhe vartësit e tij.
Sipas KMDLNj-së, kryeministri Albin Kurti para deputetëve dhe qytetarëve, me një retorikë manipulative vetëm sa e bën më të errët dhe më të panjohur dokumentin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që po qarkullon në opinion.
KMDLNj-ja ka theksuar se është sa befasuese aq dhe e papranueshme që edhe opozita është bërë kontribuuese e territ informativ pas takimit që kishte me Lajçakun në Prishtinë.