Qytetarët i përgjigjen pozitivisht ftesës për dhurim të gjakut
Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzion të Gjakut, ka bërë me dije se në Kosovë ka mungesë të gjakut dhe se krejt kjo ka ardhur si pasojë e pandemisë Covid-19.
E pas këtij njoftimi, shumë qytetarë ia kanë mësyrë objektit të Transfuzion të Gjakut për të dhuruar gjak.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, dr. Bukurije Zhubi, ka thënë për “Ekonomia Online” se në këtë kohë të pandemisë ky institut ka pasur mungesë të gjakut. Në këtë kontekst, ako kla theksuar se gjendja është kritike sa i përket rezervave të gjakut.
“Dhurimi i gjakut duhet të vazhdohet edhe përkundër kohës së pandemisë që jemi, ku kjo kohë është me specifika të caktuara dhe ka kërkesa të caktuara për dhurimin e gjakut. Dhurimi i gjakut ndryshon prej kohës kur kemi dhënë në kohë të zakonshme e tash në kohë të pandemisë”.
“Ajo që është e rëndësishme të theksohet, është se duhet të kemi dhurim të vazhdueshëm të gjakut, sepse gjaku nuk mund të qëndrojë përjetësisht, edhe përkundër rezervave të mëdha të gjakut të cilën e kemi pasur në dispozicion, ajo është harxhuar dhe kemi mbërritur në fazën kur kemi arrit në gjendjen e stokut jashtëzakonisht të ulët dhe në gjendje kritike dhe për këtë arsye kemi bërë apel për të dhuruar gjak”, ka thënë Zhubi.
Ndërsa Ismet Fejzullahu nga Podujeva posa ka marrë vesh për mungesë të gjakut, ai iu është përgjigjur pozitivisht thirrjes për të dhuruar gjak.
“Ftesa që e bëri Transfuzionit i Gjakut për të dhuruar gjak në këtë kohë pandemie, pranova me kënaqësi edhe si vullnetar i vazhdueshëm i dhurimit të gjakut. Më sa më kujtohet është e 23-ta herë që dhuroj gjak”, ka thënë ai
Edhe Ylldin Uglari nga Vushtrria, ka thënë se ndihet mirë sa herë që dhuron gjak.
Ftesës për dhurimin e gjakut i është përgjigjur pozitivisht edhe Edmond Halili. mjek-kardiolog në QKUK. Ai ka thënë se me dhurimin e gjakut, njeriu ndihet mirë shpirtërisht dhe organikisht.
Kurse Xhemajl Shala, vullnetar i dhurimit të gjakut, ka thënë se porsa ka marrë vesh për mungesë të gjakut, i është drejtuar ransfuzionit për të dhuruar. Shala ka bërë apel tek të gjithë ata me shëndet të mirë që të dhurojnë gjak.