Qytetarët janë të zhgënjyer me keqqeverisjen në Prizren, ne jemi alternativa
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, është shprehur optimist për fitoren e tij në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen në vjeshtë.
Ai ka treguar arsyet që kësaj radhe do ta sjellin fitoren e PDK-së në këtë qytet.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Totaj ka thënë se zhgënjimi i qytetarëve të Prizrenit me qeverisjen aktuale është i madh. “Qeverisja aktuale në Prizren është një dështim pothuajse total që ka krijuar zhgënjim të një pjesë e madhe e qytetarëve të cilët kanë votuar duke pritur ndryshim pozitiv. Qeverisjes së LV-së dhe Haskukës larg përtej Kosovës i ka shkuar nami për të keq, dhe mendoj se jo pa arsye”, ka thënë Totaj.
Ai ka vlerësuar se keqqeverisja aktuale dhe uniteti i degës së PDK-së në këtë komunë do ta sjellin fitoren e tij në Prizren.
“Janë disa momente të cilët do t’i numërojë: përvoja dhe energjia e strukturave të PDK-së dhe uniteti i degës në Prizren; keqqeverisja e LV-së prej që e kanë marrë pushtetin para gati katër vitesh; zhgënjimi i qytetarëve me keqqeverisjen e cila po vazhdon; profili im si kandidat tani jo pa përvojë në politikë”, është shprehur Totaj.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit ka vlerësuar se fokusi i tij do të jetë sundimi i ligjit. “Kandidatura ime shkon përtej partisë dhe është një vizion i qytetarëve të të gjitha shtresave se si do të duket Prizreni. Tani e them se prioritet absolut do të jetë sundimi i ligjit, kurse për fokusin qeverisës do të flasim më tepër posa ta kompletojmë programin i cili do të jetë ofertë për kthimin e dinjitetit pothuajse të humbur të qytetit të Prizrenit”, ka deklaruar Totaj.
“Epoka e re: Z. Totaj, zyrtarisht partia iu ka nominuar kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Totaj: Jam i nderuar dhe i respektuar. Ndiej përgjegjësi të madhe e privilegj, mbi të gjitha jam krenar të jem kandidat për kryetar të Prizrenit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Epoka e re”: Cila do të jetë platforma e juaj për zgjedhjet lokale. Ku do të fokusoheni kësaj here?
Totaj: Kandidatura ime shkon përtej partisë dhe është një vizion i qytetarëve të të gjitha shtresave se si do të duket Prizreni. Tani e them se prioritet absolut do të jetë sundimi i ligjit, kurse për fokusin qeverisës do të flasim më tepër posa ta kompletojmë programin i cili do të jetë ofertë për kthimin e dinjitetit pothuajse të humbur të qytetit të Prizrenit.
“Epoka e re”: Sa optimist jeni se do ta riktheni qeverisjen e PDK-së në këtë komunë?
Totaj: Jam shumë optimist se do të kthehemi në qeverisje në Prizren.
“Epoka e re”: Çka ju bën të besoni se do të fitoni në këto zgjedhje?
Totaj: Janë disa momente të cilët do t’i numërojë: përvoja dhe energjia e strukturave të PDK-së dhe uniteti i degës në Prizren; keqqeverisja e LV-së prej që e kanë marrë pushtetin para gati katër vitesh; zhgënjimi i qytetarëve me keqqeverisjen e cila po vazhdon; profili im si kandidat tani jo pa përvojë në politike.
“Epoka e re”: Cili është vlerësimi i juaj për qeverisjen aktuale në këtë komunë?
Totaj: Qeverisja aktuale në Prizren është një dështim pothuajse total që ka krijuar zhgënjim të një pjesë e madhe e qytetarëve të cilët kanë votuar duke pritur ndryshim pozitiv. Qeverisjes së LV-së dhe Haskukës larg përtej Kosovës i ka shkuar nami për të keq, dhe mendoj se jo pa arsye. Janë këto vetëm disa nga arsyet: keq menaxhimi i buxhetit, problemet serioze në DKA, degradimi i jetës kulturore e sportive, rënia e ekonomisë në çdo lëmi, keqmenaxhimi i qendrës historike, kaos i trafikut urban dhe paaftësisë për të gjet zgjidhje për parkingje, probleme serioze me zyrën e prokurimit (ka pasur edhe arrestime), mungesë e performances së stafit (8 drejtorë të akuzuar), transfere të stafit nga Prishtina, thuajse Prizreni nuk ka profesionistë.
(Muhamet KOCI)