Qytetarët kërkojnë kthimin e nxënësve në shkolla, kundërshtojnë mësimin “online”

23 gusht 2020 | 14:50

Edhe pse kanë mbetur vetëm një javë për fillimin e vitit shkollor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) nuk ka vendosur ende se si do të mbahet ky proces për shkak të pandemisë Covid-19.

Qytetarët kanë vlerësuar se më 1 shtator fëmijët duhet të kthehen në bankat shkollore, derisa kanë kundërshtuar vazhdimin e mbajtjen së mësimit “online”.

Ata kanë thënë se fillimi i procesit mësimor duhet të realizohet me kapacitete të plota, pa orar të shkurtuar.

Qytetari Dilaver Kryeziu, ka thënë se pavarësisht situatës së krijuar me Covid-19, fëmijët duhet të fillojnë procesin mësimor. Sipas tij vetëm në ketë mënyrë do të ketë arsimim të mirëfilltë.

“Gjithsesi duhet me u kthyer në qoftë se doni me pas tamam një arsimim me dinjitet, një arsimim që na takon neve, e sidomos fëmijëve. Duhet të kthehen fëmijët në shkolla pa marrë parasysh që kjo është një dhimbje globale, nuk është dhimbje vetëm për fëmijët e Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërsa Naim Bytyqi, ka thënë se kthimi i nxënësve në bankat shkollore është zgjidhje adekuate.

Ai ka theksuar se fillimi i procesit mësimor duhet të bëhet me kapacitete të plota, pa orar të shkurtuar. “Shkollat duhet të hapen tamam dhe të hapen me kapacitete të plota. Normalisht jo me gjysmë orari apo me orar të shkurtuara. Mendoj se kjo është vetëm improvizim. Nëse hapën duhet të hapen tamam si duhet”, ka thënë Bytyqi.

Mendim të njëjtë ka ndarë edhe Rifat Ejupi, i cili ka thënë se fëmijët kanë imunitet të mjaftueshëm dhe se nuk janë të rrezikuar nga Covidi.  Kurse, Fadil Gashi ka thënë se çështja e kthimit apo jo të fëmijëve në shkolla nuk duhet të diskutohet. Për të mësimi fitohet vetëm në këtë institucion dhe jo në platforma “online”. “Për rrezik varet qysh e ka parë OBSh-ja, diku nga tetori po thonë me u lehtësuar gjendja, por nxënësit duhet me shkuar në shkollë gjithsesi, se mësimi fitohet vetëm në shkollë sepse në shtëpi është shumë keq, shumë dobët”, ka thënë Gashi.

Më tutje Xhevat Hoxha, ka thënë se kthimi në shkolla do të ishte vendim adekuat. Ai ka thënë se shumë fëmijë nuk kanë mundësi ta ndjekin mësimin “online”.

Në fund, Mirsad Krasniqi, ka vlerësuar se fëmijët duhet të kthehen në bankat shkollore, por duke pasur kujdes të shtuar.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paraparë fillimin e vitit të ri shkollor sipas tre skenarëve, ku skenari “A” përfshinë mësimin me prezencë në institucionet shkollore me masat parandaluese, skenari “B” nënkupton rikthimin e pjesshëm me mësim të kombinuar-prezencë dhe mësim në distancë si dhe skenari “C” mësimi në distancë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brahimaj ndihet i nderuar dhe krenar me përkushtimin e Naserit…