Qytetarët ndihen të kërcënuar nga grabitjet
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot Edicionin Special të Barometrit Kosovar të Sigurisë: Trendet e përceptimeve të qytetarëve për sigurinë publike në Kosovë (2016-2018).
Siguria është një e drejtë themelore e njeriut. Ndjesia e sigurisë apo e pasigurisë ndikon fuqishëm në shëndetin fizik dhe mendor dhe mirëqenien e qytetarëve dhe mund të çojë në rritjen e besimit/mosbesimit, çka ndikon në socializimin e qytetarëve dhe ndjenjën e komunitetit.
Si rrjedhojë, QKSS-ja u ka kushtuar vëmendje të veçantë perceptimeve të qytetarëve në lidhje me sigurinë publike dhe sigurinë personale, që nga viti 2012 kur u lansua për herë të parë Barometri Kosovar i Sigurisë.
Ky edicion i posaçëm i BKS-së ofron një përmbledhje të perceptimeve të qytetarëve për sigurinë publike në Kosovë gjatë tri viteve të fundit. Më konkretisht, ai nxjerr në pah trendet e perceptimit mbi sigurinë publike, duke u fokusuar në të dhënat e Barometrit Kosovar të Sigurisë (BKS) të mbledhura gjatë periudhës 2016-2018.
Të dhënat e mbledhura gjatë kësaj periudhe u përqendruan në shqetësimet dhe problemet kryesore të të anketuarve me sigurinë publike, si dhe në masat që duhen ndërmarrë për të përmirësuar sigurinë publike në Kosovë.
Elemente të ndryshme ndikojnë në perceptimet e qytetarëve në lidhje me sigurinë publike. Padyshim që qëndrimet e tilla formësohen nga përvoja personale. Megjithatë, nuk mund të injorohet rëndësia e mediave dhe rrjeteve sociale në formësimin e opinioneve të qytetarëve.
Perceptimet mund të lidhen me karakteristikat personale të tilla si mosha, gjinia, përkatësia etnike, arsimi dhe gjendja ekonomike. Prandaj, përtej analizave të përgjithshme të të dhënave, ky edicion përfshin edhe analiza të kryqëzuara të kërcënimeve të ndryshme të sigurisë publike me karakteristika personale.
Rreziqet dhe kërcënimet kryesore ndaj komunitetit në Kosovë
- Ka një rritje të të anketuarve që i perceptojnë vrasjet si kërcënim kyç për sigurinë publike;
- Të anketuarit që jetojnë në zona urbane i perceptojnë vrasjet si një rrezik më të madh se qytetarët që jetojnë në zonat rurale;
- Të anketuarit ndihen më të kërcënuar nga grabitjet tani sesa gjatë dy viteve të mëparshme;
- Të anketuarit në zonat urbane ndihen më të kërcënuar nga grabitjet sesa qytetarët në zonat rurale;
- Fajdet po rriten me shpejtësi si kërcënim i perceptuar;
- Më pak se gjysma e të anketuarve e shohin rritjen e dhunës në shkolla si kërcënim për sigurinë publike;
- Më shumë se gjysma e të anketuarve i perceptojnë aksidentet e trafikut si kërcënim të lartë;
- Ka një rritje lineare të perceptimit të dhunës në familje si kërcënim të madh;
- Ka një rritje të qartë të perceptimit të dhunës në familje si kërcënim nga të dy gjinitë dhe të anketuarit e rinj janë më të shqetësuar për dhunën në familje;
- Barometri ka shënuar një rritje të përceptimit të ngacmimeve seksuale si kërcënim të lartë të sigurisë publike. Megjithatë, shumica e qytetarëve nuk e perceptojnë ngacmimin seksual si rrezik të sigurisë publike;
- Më shumë se gjysma e të anketuarve i shohin kafshët endacake si kërcënim për sigurinë publike.
Trendet e perimetrit të sigurisë
- 4 nga 5 të anketuar raportuan se ndihen shumë të sigurt në shtëpitë/banesat e tyre.
- Nga viti 2016, 87 për qind e të anketuarve raportuan se ndiheshin të sigurt në shtëpi, duke ruajtur një trend të qëndrueshëm;
- Të anketuarit e rinj kanë raportuar se ndihen më të sigurt në shtëpi;
- Të anketuarat gra shprehën nivele pak më të larta të sigurisë në shtëpitë/banesat, lagjet dhe qytetet e tyre, në krahasim me meshkujt.
- Kur të anketuarit u pyeten nëse ndihen të sigurt në Kosovë një ndjenjë më e lartë e pasigurisë dhe e paqartësisë ishte e dukshme;
- Të anketuarit mbi 30 vjeç raportuan se ndihen më të sigurt në Kosovë sesa të anketuarit më të rinj;
- Të anketuarit shqiptarë dhe nga pakicat joserbe ndihen më të sigurt në Kosovë sesa qytetarët serbë.
/Epoka e re/