Qytetarët për një vit shpenzuan rreth 800 mijë euro për blerjen e remdesivirit

21 mars 2022 | 14:39

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin “Pse qytetarët u detyruan ta blejnë vetë Remdesiverin? – Si dështoi Ministria e Shëndetësisë për ta siguruar Remdesiverin për qytetarët e prekur nga Covid-19?”.

Raporti shpërfaq dështimin e Ministrisë së Shëndetësisë për t’ua siguruar ilaçin Remdesivir pacientëve të infektuar me Covid-19.

Qytetarët përreth një vit janë detyruar që këtë ilaç ta blejnë vetë, ndërsa Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 i obligon institucionet që shërbimet për trajtimin dhe parandalimin e Covid-19 të ofrohen falas.

Sipas të dhënave nga Zyra Kombëtare e Auditimit, për një periudhë gjashtëmujore vetëm në një repart të Klinikës Infektive (nga gjithsejtë pesë reparte), 135 pacientëve u është përshkruar Remdesivir. Secili ka blerë nga 10 deri 14 doza (injeksione).

Nëse secili nga këta 135 pacientë ka blerë mesatarisht 11 injeksione me një çmim mesatar prej 180 eurosh/dozë, atëherë ata kanë shpenzuar 267 300 euro.

Agon Hysaj nga KDI-ja ka thënë se qytetarët janë detyruar të blejnë vetë terapinë kundër virusit, duke paguar 300 euro për një njësi. Sipas tij, 135 pacientë kanë shpenzuar 267 mijë euro për blerjen e Remdesivirit.

Ai pohon se Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë thotë se të gjitha shpenzimet duhet të mbulohen nga institucionet, prandaj qytetarët duhet të kërkojnë rimburësim.

“Qytetarët kanë vazhduar ta blejnë vetë këtë produkt. Çmimi ka qenë deri në 300 euro për njësi. Kjo njësi ka mundur të blihet edhe përmes BE-së. Kur BE-ja vendos të blejë produkt edhe Kosova mund të bëhet pjesë e prokurimit. Nuk ka ndonjë të dhënë që Kosova ka blerë direkt Remdesiverin”, ka thënë ai, duke shtuar se vetëm në një repart klinike 135 pacientë kanë shpenzuar 267 mijë euro.

“Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë thotë se të gjitha shpenzimet duhet të mbulohen nga institucionet. Përmes këtij ligji qytetarët janë dënuar. Qytetarët duhet të kërkojnë rimbursim për shpenzimet jo vetëm për Remdesiverin, por edhe për barna”, ka thënë Hysaj.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka folur për procedurat që kanë ndjekur për të porositur këtë lloj të barit. Sipas tij, më shumë se 5 000 stoqe janë blerë nga ShBA-ja në atë kohë ku oferta për blerjen e këtij bari ka qenë më shumë se 350 euro.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se edhe pse ministria ka arritur ta sjellë barin në Kosovë, qytetarët e kanë blerë vetë atë. Prandaj, sipas tij, duhet t’u mundësohet rimburësimi atyre.

“Në momentin që në protokoll në udhërrëfyes klinikë është futur bari Remdesiver dhe është përshkruar nga mjekët, Ministria e Shëndetësisë, nëse nuk ka arritur ta blejë, është dashur ta bëjë rimbursimin dhe t’i ftojë qytetarët që kanë blerë të aplikojnë për rimbursim. Bazuar në raportin e auditimit shihet se pacientët e kanë blerë atë bari, por nuk ka informatë që një produkt i tillë është sjell në Kosovë. Kërkesa ime është që pacientët të aplikojnë për rimbursim”, ka thënë deputeti i PDK-së.

Ndërkaq deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se në treg ka pasur produkte me prejardhje të paverifikuara. Sipas tij, kostoja e trajtimit të secilit pacient çdoherë ka kaluar mbi 3 000 euro. “Në treg ka pasur produkte me prejardhje të ndryshme të paverifikuara. Ne nuk e kemi pasur në klinikë Remdesiver. Kemi pasur telashe edhe me barna të tjera esenciale. Kostoja e trajtimit të secilit pacient çdoherë ka kaluar mbi 3 000 euro”, ka thënë deputeti Dreshaj.

Remdesiviri është një medikament antiviral i zbuluar nga kompania farmaceutike Gilead Sciences, i cili shitet me emrin tregtar Veklury.

Pas shfaqjes së Covid-19 në disa shtete Remdesiviri u aprovua për trajtim të pacientëve të prekur me Covid-19. Në Shtetet e Bashkuara, Administrata e Barërave dhe Ushqimit (FDA) më 1 maj 2020 lëshoi një autorizim emergjent për përdorimin e Remdesivirit, ndërsa në Indi u aprovua më 1 qershor 20201. Deri më tani rreth 50 shtete kanë lëshuar autorizime për përdorim emergjent të këtij bari.

Në Kosovë përdorimi i Remdesivirit për trajtimin e pacientëve me Covid-19 u rekomandua përmes Udhërrëfyesit Klinik për Menaxhimin dhe Trajtimin e Covid-192 , të publikuar më 11 gusht 2020.

Kërkesa e ShSKUK-së për ta blerë këtë produkt u iniciua pas një muaji e gjysmë, respektivisht më 24 shtator 2020, ku ishte planifikuar të blihen 1 320 njësi (për 120 pacientë nga 11 ampula).

Në bazë të hulumtimit të tregut që e kishte bërë komisioni i themeluar nga MSh-ja për përcaktimin e çmimit, çmimi mesatar në treg për një njësi Remdisivir ishte 252.65 euro.

Ky komision gjatë përcaktimit të çmimit të tregut mori si referencë çmimet në dy depo farmaceutike dhe në një barnatore. Mirëpo, në bazë të një tabele të ShSKUK-së të muajit gusht 2020, kërkesa për Remdesivir ka qenë 7 780 njësi.

Në anën tjetër, qytetarët gjatë kësaj kohe vazhdonin ta blinin vetë Remdesivirin, përkundër që Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 thotë se çdo personi që është i prekur me Covid-19 i ofrohen falas të gjitha shërbimet shëndetësore, përfshirë edhe barnat për trajtimin e virusit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tifogrupi i Kosovës “Dardanët” kanë vendosur të dhurojnë 30 bileta…