Qytetarët shpërfillin shtetin, gazetari kosovar publikon video ku shihet qarkullim i dendur në 23:00
Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Avdullah Hoti më qëllim të parandalimit të pandemisë COVID-19 kishte vendosur kufizim të qarkullimit të njerëzve nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit. Gjatë kësaj periudhe nuk lejohej që të punonte as gastronomia.
Një vendim i tillë është ndryshuar pas presionit të sektorit të gastronomisë. Tashmë sipas kufizimeve të reja qytetarët nuk lejohen që të lëvizin jashtë banesave të tyre nga ora 22:30. Kjo pavarësisht se rastet e infektimeve vetëm po rriten dita e ditës.
Por një vendim i tillë i qeverisë nuk po përfillet fare nga qytetarët. Botuesi i gazetës “Epoka e Re”, Muhamet Mavraj, ka publikuar një video të mbrëmjes së mërkurës në të cilën shihet qarkullim i dendur i veturave e njerëzve në orën 23:00.
Mavraj me ironi ka shkruar se në një video të tillë shihet se si qytetarët respektojnë vendimet e Qeverisë.
“Duke e respektuar kufizimin e lëvizjes, mbrëmë, ora 23:00, kështu si ne video”, ka shkruar Mavraj.
https://www.facebook.com/epokaere/videos/3117622024958131/?t=26
Përveç kufizimit të lëvizjes, kosovarët s’po respektojnë fare as vendimet tjera që ndalojnë grumbullimin e njerëzve. Për çdo ditë në Kosovë organizohen ahengje familjare, në raste edhe me mbi 150 të ftuar.
Në një rast në Gjakovë është dashur të ndërhyjë policia, për të shpërndarë një aheng ku ishte një numër tejet i lartë i njerëzve. Madje kishte arrestuar edhe personin që kishte organizuar ahengun.
Shifrat e fundit të infektimeve janë alarmante. Ndërkohë sipas IKSHP-së, vetëm në 24 orët e fundit kanë vdekur 16 persona si pasojë e COVID-19./Express/