Qytetarët shpëtojnë paratë nga korrupsioni
A e dini se çfarë po ndodh gjatë këtyre 24 orëve? Nga dita në ditë, për dekada, paratë që u përkasin të gjithë qytetarëve, shpërdorohen para syve të tyre.
Korrupsioni i shkakton dëme të mëdha shoqërisë. Por jo edhe gjatë ditës së sotme. Iniciativa Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI) ka vendosur ta rris sensibilizimin në lidhje me këtë fenomen, për të cilin qytetarët zakonisht heshtin, përmes një shfaqjeje në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
“Sinjalizo” është pjesë e fushatës edukativo-informuese që po realizohet nga Iniciativa Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI), me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit “Ndërprerja e Heshtjes përmes Përmirësimit të Politikave dhe Kulturës së Raportimit të Korrupsionit nga Sinjalizuesit në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi”.
Me anë të këtij projekti, sekretariati i RAI-it është duke u angazhuar në fuqizimin e legjislacionit dhe kornizës institucionale për mbrojtjen e sinjalizuesve, në përputhshmëri me direktivën e BE-së.
Gjatë gjithë ditës po demonstrohet shkatërrimi i parave në mënyrë simbolike, ashtu si ndodh në të vërtetë aty ku ka korrupsioni. Ndodh para syve tanë, nuk bën pushim dhe nuk fle. Kjo është një mënyrë simbolike për të rritur sensibilizimin për të mos marrë pjesë në korrupsionin që bëhet në dëm të parave që duhet të investohen e të përdoren në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Iniciativa Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI) është një organizatë unike ndërqeveritare që i dedikohet ekskluzivisht luftës kundër korrupsionit në Evropën Juglindore.
Sekretariati i RAI po punon për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet anti-korrupsion, duke siguruar një platformë të përbashkët për dialog, shkëmbim të njohurive dhe praktikave më të mira anti-korrupsion në Evropën Juglindore.
Me performancën në rrugë synohet të tërhiqet vëmendje ndaj dëmit që korrupsioni i shkakton shoqërisë sonë dhe për rolin e rëndësishëm që çdo person ka në luftën kundër korrupsionit. Është e mundur të “Sinjalizohet” duke refuzuar pjesëmarrjen në korrupsion.
Siç u tha nga organizatorët, çdo euro që ruhet nga shkatërrimi, mund dhe duhet të investohet në përmirësimin e cilësisë së jetës së atyre të cilëve u përkasin ato para qytetarëve.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, i cili ishte pjesë e konferencës me mediat, ka thënë se AKK-ja ka bashkëpunim të ngushtë me RAI-n në fushën e luftës kundër korrupsionit. “Në kuadër të bashkëpunimit tonë rajonal, Agjencia Kundër Korrupsionit bashkëpunon ngushtë me Iniciativën Rajonale Kundër Korrupsion – RAI, me të cilën sot dhe nesër kemi për qëllim që të vetëdijësojmë qytetarët tanë për rëndësinë e sinjalizimit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, ka thënë Havolli.
Ndërkaq, menaxherja e projektit “Ndërprerja e heshtjes” të RAI, Elmerina Ahmetaj-Hrelja, ka folur në këtë konferencë, duke kërkuar që të mbështeten sinjalizuesit.
“Mos të harrojmë se lufta kundër korrupsionit fillon nga individi, domethënë me secilin prej nesh personalisht. Me këtë performancë, ne gjithashtu tregojmë se jemi me sinjalizuesit, ata që marrin vendimin e guximshëm të raportojnë korrupsionin dhe në këtë mënyrë e vejnë veten në shërbim të interesit publik”, ka thënë Ahmetaj-Hrelja.