Qytetarët s’po i shfrytëzojnë shërbimet juridike falas, kërkohet qasje e barabartë në drejtësi
Agjencia për Ndihmë Juridike Falas me mbështetjen e USAID-it, ka organizuar një konferencë ku ka bërë publikimin e Hartëzimit të nevojave të komunitetit për drejtësi.
Në këtë konferencë është thënë se duhet të rritet vetëdijesimi i qytetarë për qasje në drejtësi.
Për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm të kësaj agjencie për të ofruar ndihmë juridike falas për qytetarët është kërkuar ndihmë nga institucionet në mënyrë qe kjo agjenci të mundësojë qasjen e barabartë në drejtësi.
Anita Kalendari, drejtoreshë ekzekutive nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, ka thënë se qytetarët kanë nevojë për vetëdijesim për të kërkuar ndihmë juridike.
“92 për qind janë ndarë të kënaqur, por ne duhet të punojmë dhe të rrisim vetëdijen e qytetarëve të kenë qasje të barabartë në drejtësi. Kanë nevojë për vetëdijesim, kjo ka rezultuar në numrin e kërkuesve për ndihmë juridike. Ky raport ndihmonte për të hartuar dhe dizajnojmë programet e ndryshme”, ka deklaruar Kalendari.
Ajo ka ftuar të gjitha institucionet që të ndihmojnë këtë agjenci për të mundësuar qasje të barabartë në drejtësi.
Ndërsa Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se sa i përket funksionimit të ofrimit të ndihmës juridike, situata nuk është e mirë.
Sipas Avokatit të Popullit, buxheti që ndan shteti për kokë banori për ndihme juridike është më i ulëti në Ballkan. /EO/