Qytetarët do të lëvizin pa viza brenda këtij viti
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, është shprehur e bindur se qytetarët e Republikës së Kosovës brenda këtij viti do të lëvizin pa viza në zonën Shengen.
Ajo nuk ka dashur të përmendë muaj të caktuar se kur do të mund të ndodhë një gjë e tillë për shkak të procedurës vendimmarrëse që ka BE-ja, por ka bërë me dije se Kosova tashmë i ka kryer obligimet e veta.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Deliu-Kodra ka deklaruar se tani, pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, BE-ja e ka radhën të veprojë. “Si kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane kam realizuar takime të shumta bilaterale dhe kam pasur diskutime të shumta lidhur me këtë proces. Por, duke e ditur se ky proces ka procedura vendimmarrëse, nuk mund të flasim për datë të saktë se kur do të ndodhë lëvizja e lirë për qytetarët tanë. Jam optimiste se pas përfundimit të procedurave vendimmarrëse që i përmenda më lart, qytetarët do të lëvizin brenda vitit 2018”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ajo ka folur edhe për kriterin tjetër që ka të bëjë me liberalizimin e vizave, luftimi i korrupsionit.
Deliu-Kodra ka thënë Kosova ka shënuar progres në luftimin e krimit dhe të korrupsionit. Sipas saj, ky kriter është monitorues dhe nënkupton se duhet të plotësohet edhe pas liberalizimit të vizave. “Lidhur me kriterin që ka të bëjë me luftimin e korrupsionit nga ana e institucioneve vendore, konsideroj se janë bërë hapa të konsiderueshëm nga ana e institucioneve tona, por duhet të kemi parasysh se ky kriter është më shumë monitorues, që do të thotë se, edhe pas liberalizimit të vizave, do të kërkohet të kemi luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Deliu-Kodra.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane ka vlerësuar se me ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, Kosova ka treguar seriozitet për përmbushjen e kritereve, si dhe ka treguar përkushtim për avancimin e rrugës sonë evropiane. “Kemi pasur një rrugë të gjatë dhe shumë të mundimshme deri në përmbushjen e të gjitha kritereve, gjë që është parë edhe gjatë ditëve e viteve të kaluara, por tanimë shpresoj dhe besoj se kemi përmbushur të gjitha kërkesat lidhur me përfundimin e këtij procesi. Qytetarët tanë do ta gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë, kaq gjatë të mohuar”, është shprehur ajo.
“Epoka e re”: Znj. Deliu-Kodra, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar të mërkurën demarkacionin me Malin e Zi. Cili është mesazhi që Kosova ka dërguar te BE-ja me këtë rast?
Deliu-Kodra: Me ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, Kosova ka treguar seriozitet në përmbushjen e kritereve si dhe ka treguar përkushtim për avancimin e rrugës sonë evropiane.
“Epoka e re”: Meqenëse ratifikimi i demarkacionit ka qenë kushti kryesor për liberalizim të vizave, sa i është ofruar Kosova këtij procesi me këtë veprim?
Deliu-Kodra: Kemi pasur një rrugë të gjatë dhe shumë të mundimshme deri në përmbushjen e të gjitha kritereve, gjë që është parë edhe gjatë ditëve e viteve të kaluara, por tani më shpresoj dhe besoj se kemi përmbushur të gjitha kërkesat lidhur me përfundimin e këtij procesi. Qytetarët tanë do ta gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë, kaq gjatë të mohuar.
“Epoka e re”: Kriter tjetër është përmendur edhe luftimi i korrupsionit nga institucionet vendore. A varemi tash nga ky kusht për liberalizim të vizave?
Deliu-Kodra: Lidhur me kriterin që ka të bëjë me luftimin e korrupsionit nga ana e institucioneve vendore, konsideroj se janë bërë hapa të konsiderueshëm nga ana e institucioneve tona, po ashtu duhet të kemi parasysh se ky kriter është më shumë monitorues, që do të thotë se, edhe pas liberalizimit të vizave, do të kërkohet të kemi luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Epoka e re”: Cila është, tash e tutje, procedura e vendimmarrjes nga ana e BE-së për liberalizim të vizave?
Deliu-Kodra: Tashti institucionet tona përgjegjëse pritet ta dërgojnë raportin me përmbushjen e kritereve, pastaj Komisioni Evropian e dërgon rekomandimin në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Bashkimit Evropian si organ vendimmarrëse të BE-së.
“Epoka e re”: Si kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane keni pasur takime të shumta me zyrtarët e lartë të BE-së. Me siguri ata ju kanë dhënë ndonjë afat kohor se kur kosovarët mund të lëvizin lirshëm nëse ratifikohet demarkacioni?
Deliu-Kodra: Si kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane kam realizuar takime të shumta bilaterale dhe kam pasur diskutime të shumta lidhur me këtë proces por, duke ditur se ky proces ka procedura vendimmarrëse, nuk mund të flasim për datë të saktë se kur do të ndodhë lëvizja e lirë për qytetarët tanë. Jam optimiste që pas përfundimit të procedurave vendimmarrëse që i përmenda më lart, qytetarët do të lëvizin pa viza brenda vitit 2018.
Muhamet KOCI