Qytetarëve u keqpërdoren numrat e telefonit nga kompani të ndryshme për qëllime marketingu
Për qëllime marketingu agjentë të kompanive të ndryshme thërrasin qytetarët në numrat e tyre telefonikë për t’i proklamuar produktet e tyre, si fshesa të energjisë, pajisje të ndryshme teknologjike dhe shtëpiake. Kjo dukuri është bërë e shpeshtë në Republikën e Kosovës dhe mjaft shqetësuese për qytetarët.
Në Ligjin NR. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Neni 73, Marketingu i Drejtpërdrejtë, pika 2, thuhet se: “Për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë, kontrolluesit e të dhënave mund t’i përdorin vetëm të dhënat personale të grumbulluara në pajtim me paragrafin 1. të këtij neni: emrin personal, adresën e vendbanimit të përhershëm ose të përkohshëm, numrin e telefonit, adresën e postës elektronike (e-mail). Në bazë të pëlqimit paraprak të subjektit të të dhënave, kontrolluesit e të dhënave mund të përpunojnë të dhëna të tjera personale, por të dhënat personale të ndjeshme mund t’i përpunojnë vetëm nëse ata e kanë pëlqimin me shkrim”.
Një qytetar nga Vushtrria disa herë është shqetësuar nga telefonatat e ndryshme që ka marrë, duke apeluar te operatorët e telefonisë mobile dhe ARKEP-i që të marrin masa ndaj këtyre kompanive. “Kam pasur raste të shumta kur më kanë thirrur kompani të ndryshme dhe kur i kam pyetur ku e morët këtë numër apo kush ua rekomandoj numrin tim, më kanë thënë se e gjetën në internet këtë numër, gjë që nuk është e vërtetë, sepse nuk e kam të publikuar askund numrin. Këto thirrje janë të bezdisshme dhe kompanitë e telefonisë mobile në Kosovë duhet të kenë mekanizma për t’i mbrojtur të dhënat personale të konsumatorëve të vet. Në të kundërtën, ARKEP-i duhet të ndërmarrë masa deri në gjobitjen e tyre”, ka thënë L. K. për gazetën “Epoka e re”.
Njohësi për Siguri dhe Privatësi Kibernetike, Mentor Hoxhaj, ka thënë se në rast se kemi të bëjmë me mospëlqimin paraprak të subjektit të të dhënave, në të kundërtën kemi të bëjmë me shkelje të rëndë të privatësisë së personave të targetuar. “Personat juridik, në këtë rast kompania gjermane duhet të kenë pëlqimin paraprak të subjektit të të dhënave. Që do të thotë duhet ta kenë pëlqimin e personave që dëshirojnë t’i thërrasin. Dhe në rast se personi ka dhënë pëlqimin, ai/ajo mund të tërheqë në çdo kohë pëlqimin e dhënë dhe të kërkojë që në të ardhmen mos të shqetësohen nga thirrja, mesazhi apo çfarëdo lloj komunikimi i drejtpërdrejtë personal”, ka thënë Hoxhaj për gazetën “Epoka e re”.
Ai ka shtuar se në raste të tilla shqetësimi i parë është ku e kanë siguruar numrin e telefonit, në rastet kur personi i thirrur u drejtohet në emër. “Personat janë të shqetësuar se një kompani ‘X’ ka siguruar numrin e tyre të telefonit dhe ndihen të shqetësuar dhe të frikësuar. Kjo përbën shkelje të rëndë të privatësisë së personave të targetuar. Meqë me rastin e aplikimit të marketingut të drejtpërdrejtë është bërë shkelje e shumëfishtë e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, u shpreh Hoxhaj. Sipas tij, në rastet kur thirrja bëhet me numra të rastësishëm kemi vetëm shkelje të dispozitave ligjore sa i përket marketingut të drejtpërdrejtë.
Qytetari me inicialet A. Q nga Prishtina ka bërë me dije për “Epokën e re” se mbi dhjetë herë ka pranuar telefonata nga kompani të ndryshme për blerjen e produkteve të tyre. Ai ka thënë se këto telefonata janë shqetësim për të, pasi ka pasur raste kur edhe në orarin e punës e kanë thirrur. “Mbi dhjetë herë kam marrë telefonata nga kompani të ndryshme. Ka pasur raste edhe kur kam qenë në orar të punës më kanë thirrur. Kjo është diçka jonormale të keqpërdoret numri personal i telefonit. Nuk e di se si kompanitë ‘Vala’ dhe ‘Ipko’ (sepse ka pasur rast kur kam pranuar telefonata edhe në ‘Ipko’) lejojnë t’ua japin listat e numrave të telefonit, sepse këta numra janë keqpërdorur nga dikush brenda këtyre kompanive telefonike”, ka thënë A. Q.
Në Telekomin e Kosovës kanë thënë për “Epokën e re” se meqë numrat personalë janë të mbrojtur me ligj, “Vala” nuk i jep qasje në këtë asnjë lloj kompanie. “Të dhënat e konsumatorëve janë të mbrojtur me ligjet nga ana e operatorit ‘Vala’ dhe duke e pasur parasysh këtë, ‘Vala’ nuk i jep askujt qasje, pra asnjë kompanie qoftë vendore apo ndërkombëtare sa iu përket konsumatorëve tanë”, është thënë në këtë përgjigje.
Po ashtu edhe në “IPKO” kanë thënë se numrat personalë të konsumatorëve janë të mbrojtur dhe s’dalin nga kjo kompani. “Kompania jonë nuk jep të dhëna të tilla. IPKO-ja nuk jep asnjë të dhënë te klientëve të vet dhe të asnjë kompani të tretë”, është thënë në përgjigjen e “IPKO”-s.
Albulena S. MAVRAJ