Qytetari në Shtime e dorëzon portofolin e gjetur me para dhe dokumente në polici

25 prill 2025 | 20:44

Qytetari nga fshati Petrovë ka dorëzuar në polici një portofol të gjetur që përmbante para dhe dokumente personale.

Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 15:50, qytetari Xh. Rexhaj, 47 vjeç, ka paraqitur portofolin në stacionin policor të Shtimes, duke deklaruar se e kishte gjetur pranë urës në rrugën “Përparim Boshnjaku”. Në prani të tij dhe të zyrtarëve policorë, është bërë hapja e portofolit, ku u konstatua se brenda ndodheshin 142 euro e 33 cent, 10 franga zvicerane dhe dokumente personale.

Pas verifikimit të përmbajtjes, policia ka identifikuar pronaren e portofolit, L.B. nga Shtimja, e cila u kontaktua menjëherë dhe u paraqit në stacionin policor. Portofoli, së bashku me të gjitha dokumentet dhe mjetet monetare, iu kthyen asaj me procesverbal zyrtar.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka vlerësuar lartë këtë veprim, duke shprehur mirënjohje publike për qytetarin Xh. Rexhaj.

“Ky është një akt human dhe shembullor, që pasqyron standarde të larta të integritetit dhe përgjegjësisë qytetare. Policia inkurajon qytetarët që të vazhdojnë të jenë partnerë në ndërtimin e një shoqërie më të ndershme dhe të sigurtë,” thuhet në komunikatën për media të Policisë së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka vdekur Alajdin Sulejmani, 30-vjeçari nga Haraçina, i cili ishte…