Qytetet po fundosen: Një krizë globale
Miliarda njerëz jetojnë përgjatë vijave bregdetare të botës, zona që tashmë janë të kërcënuara nga rritja e nivelit të detit për shkak të ndryshimeve klimatike. Por rreziku nuk mbaron këtu. Një fenomen më pak i njohur, por po aq i rrezikshëm, ka fituar ritëm kohët e fundit: fundosja e tokës. Kërkimet e fundit, të fokusuara tek qytetet bregdetare në Shtetet e Bashkuara dhe Kinë, tregojnë se bregdetet e këtyre vendeve po fundosen me një ritëm alarmant, duke rrezikuar qindra miliona njerëz dhe disa nga qytetet më të mëdha të botës.
Çfarë po ndodh?
Fundosja, ose rënia e nivelit të tokës, nuk është një fenomen i ri. Arsyet kryesore për këtë proces përfshijnë peshën e ndërtesave, teksa ato më të mëdhatë shtojnë presionin mbi tokën; heqjen e ujërave nëntokësore për përdorim publik dhe industrial, që çon në rrëshqitje të tokës; shfrytëzimi i naftës dhe gazit; nxjerrja e burimeve nga nëntoka, gjë cila lë boshllëqe që e dobësojnë strukturën e tokës; si edhe formimi i tokës së re, ku kompaktësimi i mbushjeve për të krijuar tokë të re në bregdet shkakton lëvizje.
Nxjerrja e ujërave nëntokësore është veçanërisht shkatërruese. Kur uji largohet nga shkëmbinjtë dhe dheu ku mbështetet toka, kjo e fundit nis të bjerë. Në disa raste, ky proces mund të ndodhë me disa centimetra në vit, duke sjellë pasoja të mëdha me kalimin e kohës.
Kina dhe ShBA-ja, të parat që paguajnë çmimin
Dy nga ekonomitë më të mëdha në botë janë ndër më të prekshmet ndaj këtij fenomeni.
Kina
Një studim i prillit 2024 nga Zurui Ao dhe kolegët e tij në Universitetin Normal të Kinës Jugore zbuloi se nga viti 2015 deri në 2022, pothuajse gjysma e tokës urbane e rreth 82 qyteteve kryesore në Kinë po fundosej me një ritëm prej 2.5 cm në vit. Në disa zona, ky ritëm ishte deri në 20 cm në vit.
Deri në vitin 2120, një e katërta e tokës në qytetet bregdetare të Kinës pritet të jetë nën nivelin e detit për shkak të kombinimit të fundosjes së tokës dhe rritjes së nivelit të detit. Qytete si Pekini dhe Tianjini po fundosën më shpejt, duke rrezikuar 270 milionë njerëz.
Shtetet e Bashkuara
Në bregun lindor të SHBA-së, një studim i publikuar në janar 2024 nga Leonard Ohenhen i Universitetit Teknik të Virxhinias zbuloi se qytete si Baltimore, New York dhe Norfolk po fundosen me ritme nga 0.1 deri në 0.2 cm në vit. Ky fenomen, i kombinuar me rritjen e nivelit të detit dhe stuhitë si Uragani Sandy, përbën një recetë për fatkeqësi. Rreth 16 milionë njerëz përgjatë bregut lindor mund të preken nga këto ndryshime.
Pasojat
Ekspertët paralajmërojnë se fundosja e tokës është një rrezik i nënvlerësuar që shton kërcënimin nga përmbytjet bregdetare. Anjali Fernandes, një shkencëtare e Tokës në Universitetin Denison në Ohajo, thotë: “Matjet e përsëritura dhe mjetet e tjera të monitorimit janë urgjentisht të nevojshme për të kuptuar ndryshimet në peizazhin bregdetar.”
Për të zbatuar strategji efektive, shkencëtarët kanë nevojë për më shumë të dhëna mbi ritmet e fundosjes dhe proceset që e shkaktojnë atë.
Kursimi i ujit mund të jetë zgjidhja më e mirë për të ngadalësuar fundosjen. Menaxhimi më i mirë i ujërave nëntokësore jo vetëm që ndihmon në furnizimin e qëndrueshëm me ujë për qytetet dhe zonat bujqësore, por gjithashtu parandalon rënien e tokës.
Pa veprime proaktive, kombinimi i deteve që ngrihen dhe tokave që fundosen do të çojë në fatkeqësi edhe më të mëdha dhe më të kushtueshme për qytetet bregdetare në mbarë botën. / bota.al