QYTETI I FLIJIMIT PËR LIRI
Mr. sc. Fatmir Halimi
Pasthënie, përkitazi rreth romanit “Udhëtimi i Gertit” të shkrimtarit Murat Gashit
Romani “Udhëtimi i Gertit” i shkrimtarit tonë tashmë të dëshmuar Murat Gashit ka një histori të rrëfimit dhe të shkrimit. Autori e kishte filluar shkrimin një apo dy vjet para nisjes së luftës në Kosovë për t’i vazhduar disa pjesë edhe pas luftës, kurse dritën e botimit e sheh tek tash nga shtëpia botuese “ProkultPress”, Prishtinë.
Shkrimtari Gashi, qysh në hyrje të romanit e parapërgatit lexuesin se ngjarjet që zhvillohen aty nuk kanë një rrjedhë të njëtrajtshme dhe klasike, po ato do të rrëfehen në mënyra të ndryshme varësisht nga gjuha komunikuese e personazheve dhe varësisht nga toposi në të cilin bartet ngjarja. Ngjarja zhvillohet në qytetin simbolik “Muranë”, që mund t’i takojë kohës universale, pra secilës kohë, dhe themi se merr karakter historik, por edhe aktual. Qyteti Muranë sipas përshkrimeve që i bën personazhi kryesor Gerti, një djalë i ri, një ekonomist i zoti, që babai i tij udhëheq një firmë të madhe në Francë, të jetës së njerëzve, të ndërtimit urbanistik si të rrugicave të ngushta me gurëkatror, shtëpive, lagjeve etj. mund të jetë Prizreni, Prishtina, apo edhe secili qytet i para dy dekadave të Kosovës. Ndërsa tema që zhvillohet është lufta për liri, flijimi për liri dhe jo rastësisht tërë romanin mund ta titullonim edhe si: Qyteti i flijimit për liri. Temë kjo që në vete përmbledh preokupimet e mëhershme tematike edhe të shkrimtarëve të mëdhenj të letërsisë sonë si të R. Qosjes, I. Kadare, Z. Rrahmanit e shumë të tjerëve. Kurse, për nga rrëfimi i tekstit e po ashtu edhe për nga ndërtimi dhe realizimi i tij si tekst është postmodern, që me sukses autori i shfrytëzon të gjitha elementet dhe kategoritë stilistike si intertekstualitetin, retrospektiven, dokumentaritetin, paralelizmin tematik e të tjera.
Në fillim të romanit shtrohet teorikisht dhe praktikisht kërkesa e personazhit kryesor Gertit për të udhëtuar nga Franca për në qytetin e Muranës, konkretisht në vendlindjen e të dashurës së tij Dardanës. Teorikisht paraqitet njohja e qytetit nga një i huaj përmes të dashurës së tij shqiptare Dardanës, si dhe mbledhja e informative nga librat e shumtë në gjuhën frënge për zakonet, traditat, moralin e njerëzve, si dhe për lashtësinë e ndërtimit të qytetit, fortifikimin e tij, ku aty tregohen legjenda të ndryshme për ndërtimin e qytetit Muranë. Kurse praktikisht paraqitet realizimi i kërkesës së Gertit, i cili arrin në Kosovë, konkretisht në Muranë, ku ky qyteti është në prag të luftës.
Këtu jeta e shqiptarëve është në zgrip apo në shkallën e fundit të robërimit dhe të nënshtrimit nga okupatori, pasi që lufta dhe flijimi për të fituar lirinë e qytetit të tyre kishte marrë jetët e shumë njerëzve, populli dhe udhëheqësit e tij kishin mobilizuar burrat që duhej të luftonin për liri. Kurse Gerti si një i huaj, por që e donte shumë lirinë e cilit do popull të robëruar, para vetë merr detyra të rënda si për t’i njoftuar organizatat e ndryshme evropiane për gjendjen e rëndë dhe përmes shkrimeve që i dërgonte në gazeta t’i informonte se në qytetin e Muranës po zhvillohej një luftë e për liri.
Ai përveç kësaj si detyrë e merr edhe një punë tjetër, atë të arkeologut që të hulumtoj nëpër varreza, nëpër themele të mureve të vjetra të kalasë, duke gërmuar në to që të gjejë sa më shumë eshtra, të cilat do t’i përdorte si dëshmi për të vërtetuar lashtësinë ilire të popullit, por edhe të ndërtimit të qytetit Muranë. Gerti për t’i arritur këto do të bashkëpunojë me shqiptarët e devotshëm dhe patriotë si Dilin, Profesorin, Gëzimin dhe së fundi edhe me Dardanën, e cila pas një kohe vjen edhe ajo në Kosovë. Gërmimi ishte punë e rrezikshme gjë që bie në sy edhe të forcave okupatore. Ishte gjendje lufte dhe në betejën që zhvillohet në fshatin Rrafshnaltë, Gerti fal miqve të tij dhe ushtarëve liridashës shpëton mrekullisht. Por okupatori vihet në ndjekje të tij dhe në fund e vret heroin tonë të romanit, pra Gertin.
Nga ky përshkrim i fabulës në vija të trasha vërehet se romani “Udhëtimi i Gertit” na i paraqet dy botë diametralisht të kundërta atë të okupatorit ose të pushtuesit dhe atë të mbrojtësit dhe të luftëtarëve të lirisë. Këto kundërshti nuk janë vetëm në këtë pikë, por ato manifestohen në të gjitha poret e jetës si në mentalitet, në sjellje të përditshmërisë, në gjuhë, në zakone e të tjera. Romani “Udhëtimi i Gertit” sa është histori e rrëfimit të sakrificave të shqiptarëve për liri, po aq është një histori e një të huaji për t’i mbrojt dhe për ‘i përkrahë përpjekjet e një populli të vogël për tu çliruar nga armiku si dhe për të dëshmuar të vërtetën historike të shqiptarëve ndër shekuj. Me këtë rast duhet të cekim se krejt në fund të romanit, pra në epilog mësojmë se personazhi hero Gerti ka prejardhje shqiptare dhe ndoshta është edhe kjo një arsye përveç dashurisë së madhe që kishte për Dardanën të vizitojë Kosovën dhe të zbulojë të vërtetën.
Përfundim
Pas këtij shqyrtimi teorik të diskursit letrar mbi romanin “Udhëtimi i Gertit” i shkrimtarit Murat Gashit, vijmë në disa përfundime.
Së pari, është roman, që ngreh vazhdimisht idenë e luftës për liri dhe çlirim kombëtar. Ky roman na vijnë si perlë në letërsinë tonë, i cili na lë pa frymëmarrje nga kureshtja se ç’do të ngjet në faqet pasuese të tyre.
Së dyti, romani “Udhëtimi i Gertit”, është një ndër veprat më të arrira artistikisht të autorit, është një prej veprave më të mëdha të letërsisë shqipe të krijuara në këto dy dekadat e fundit, apo në këtë milenium të ri dhe është një prej veprave që diskursit kritik i ofron mundësi të mëdha interpretimi.
Dhe së fundi mund të them se me këtë studim nuk u përmbyll shqyrtimi analitik mbi romanin “Udhëtimi i Gertit”, por vetëm u hap një dritare për studime dhe interpretime të mëtutjeshme në diskursin letrar nga kritikët tanë.