Qyteti i Skenderajt bëhet me pullë postare
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka pritur sot në takim u.d Kryeshefit Ekzekutiv të Postes së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, nga i cili ka pranuar Pullën Postare me pamjen e qytetit të Skenderajt.
Me këtë rast, Jashari ka deklaruar se paraqitja e qytetit të Skenderajt në pullën postare është një nder i veçantë që i është bërë kësaj komune.
“Uroj të keni sukses dhe punët të ju ecin mbarë, po ashtu shfrytëzoj rastin që t`i apeloj edhe Institucionet qendrore që të përkrahin dhe fuqizojnë Posten e Kosovës dhe të gjitha ndërmarrjet tona publike. Pulla postare me pamjen e qytetit tonë do të jetë në qarkullim që nga dita e sotme, andaj kërkoj nga qytetarët e komunës sonë dhe jo vetëm që në dërgesat e tyre të zgjedhin këtë pullë postare që kështu të promovojmë qytetin dhe vlerat tona kombëtare në botë”, ka deklaruar Jashari.
U.d i kryeshefi të Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, ka deklaruar se është kënaqësi e madhe që në kuadër të pullës postare të përfshihet qyteti historik i Skenderajt.
“Sot kemi ardhur që ta promovojmë pullën postare për Skenderajn, një mision i rregullt të cilin e ka posta. Është një kënaqësi e veçantë që sot e promovojmë këtë pullë e cila shfaq vlerat me të larta të kulturës, historisë dhe sakrificës së Skenderajt. Ky qytet është sinonim i qëndresës kombëtare, sinonim i patriotizmit, por me të veçantë këtë pullë postare e bënë dorëzimi direkt Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i cili njëkohësisht është edhe biri i heroit Hamëz Jashari”, ka deklaruar Smakiqi.
Në fund të këtij takimi, Jashari i ka dhuruar Smakiqit, stemën e komunës, kurse ky i fundit në emër të Filatelisë së Postes së Kosovës, Kryetarit Jashari, Familjes Jashari si dhe nënkryetarit Nuredin Lushtaku, i dhuroi pllakën në të cilën është paraqitur qyteti i Skenderajt si dhe pullën postare me pamjen e qytetit.