R E P U B L I K A
Adem Gashi
- POEZI PËR SHTETIN QË DO (DHE DUA) TË MË BËHET ATDHE
të më bëhesh Dheu i Babës
epo si
kur unë jam bërë gjysh
dhe im nip Aureli
është vetëm një vit më i ri se ti
atdhe të më bëhesh dua unë
dhe do ti
po djemtë plëngprishës dalzotësit e djeshëm
t’u bënë zotër tani
dhe Krishti u ngjall për të 2017-n herë
dhe sheshit “Shën Tereza”
i ranë dhjetorit rrezet e diellit të pranvertë
dua unë dhe do ti
shteti im të më bëhesh atdhe
epo, ringjallja nuk qenka edhe aq e lehtë!
__________________
(2017)
- NDËRTIMI I SHTËPISË
e nisëm mbi themele të forta prej gjaku
nuk vajti si deshëm,
nuk vajti
muret me gunga i shtrembër oxhaku
dritaret e pakta i paktë ndriçimi
terri në skuta, tymi
kjason nga brenda, pikon së larti
ah, çatia
dhe lëngojnë kryepleqtë, lëngojnë kryeparët
jo nga kokallat po nga lakmia,
prekur nga ftohma lëngon dhe dashuria
midis kasolles e pallatit
ngrehinë me tabelë të llamarintë
ku të përdredhurat shkronja formojnë emrin
KOSOVA
ku fëmijët e jetimtë ngulfaten nga tymi bloza
e kolla
ndërtimi i shtëpisë ters na vajti
sado e ngritur mbi themele të forta
- DITA E KUSHTETUTËS SË KOSOVËS
e martë është sot nëntë prill
herë tjetër mund të jetë ditë tjetër
nëntë prill gjithnjë
sot bie shi
herë tjetër mund të ketë dhe diell
në një sfond pëlhure të kaltër
gjashtë yje të bardhë
që mund të shtohen ndërkohë e ngaherë
dhe në mes një blanë e verdhë
që mund të vizatohet ndryshe nesër
është një ditë kjo me një dokument në letër
po shkelësit…
ah, kjo është punë tjetër
———————————-
2019
- PEIZAZH REÇAKU MË 1999
zë
jo, zë njeriu ky nuk është
lot
jo, lot nuk nxjerrin zgavrat pa sy
as qielli nuk lëshon shi
nën një diell me dhëmb
si një mamuth parahistorik
gjak
jo, gjaku i njeriut nuk është i zi
djegur nën flakët e gojës lubi
ah, qenka klithmë mali, shpati,
klithmë e çnatyruar e peizazhit të Reçakut
më 1999 ditën e 15 janarit,
qenka pra
gurthemeli i Republikës
- ATDHEDASHURI
vendi im është republikë e lirë
një vend i vogël
kë dua e takoj në një çast në një orë në një ditë
madje edhe ata që s’i dua
që i njoh e s’i njoh
që më njohin e s’më njohin
mua
prandaj është aq i madh
sa më bën ta dua pafundësisht
me të gjitha fëlligështitë
se kam dhe dikë brenda tij
që dashurisht ma mbjell atdhedashurinë