Ra në Morava, aktivistët e peshkimit: Një njeri i vdekur kaloi përreth nesh gjatë peshkimit
Një person ka vdekur gjatë ditës së djeshme pasi dyshohet se ka rënë në lumin Morava afër pikës kufitare “Dheu i Bardhë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Në rrjetet sociale janë publikuar edhe pamje nga momenti kur trupi i pajetë i viktimës është gjetur në lumin Morava.
Aktivistët e peshkimit kanë njoftuar se pasi kanë dëgjuar një zë dhe trupin e të moshuarit në ujë, janë obliguar të futen në territorin e Serbisë që ta nxjerrin nga uji.
“Një njeri i vdekur kalon per rreth neve gjat peshkimit ne formë thesi i zi duke mos levizur dhe duke mos e ditur se qfarë eshte, por pasi degjoj një zë o kuku baba breh, atëher fillojmë ta nderpresim peshkimin dhe fillojme te vrapojmë bashke me policin e Kosovës pas tij, dhe hyjmë deri teritor #SERRBISË ku qellon ne atë pjesë një shqiptar dhe hyn ne ujë e nxjerr trupin e tijë për te cilin na thane se ishte i pa jetë 05/03/2024 Lumi Morava”.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, tha se bëhet fjalë për një 69-vjeçar nga Ferizaj.
“Sipas informatave të para, i ndjeri së bashku me fëmijët e tij (djalin dhe vajzën) me veturë ishin nisur në drejtim të pikës kufitare ‘Dheu i Bardhë’. Në afërsi të parkingut afër pikës kufitare viktima është afruar afër lumit dhe dyshohet se ai aksidentalisht ka rënë në lumë. Janë njoftuar të gjitha njësitë përkatëse të cilat janë marrë me rastin”, ka thënë Hashani për Reporteri.
Tutje, ai shtoi se për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Rrethanat e rastit po hetohen nga Policia rajonale në Gjilan”, tha Hashani.