Racizmi kundër Vinicius, policia arreston 4 tifozë
Policia e Madridit ka arrestuar katër persona të dyshuar për nxitje të urrejtjes në rrjetet sociale kundër yllit të Real Madridit, Vinicius Jr. Incidenti ndodhi në ditët para derbit të fundit në kryeqytetin spanjoll, që u zhvillua në “Metropolitano” më 29 shtator.
Tifozët e supozuar “Colchoneros” inkurajuan shokët e tyre që të merrnin pjesë gjatë ndeshjes ndërqytetase në një iniciativë fyerjesh raciste dhe poshtëruese ndaj yllit të Real Madridit.
“Ata i nxitën tifozët përmes rrjeteve sociale të shkonin në stadium për të shqiptuar fyerje raciste ndaj lojtarit brazilian”, thuhet në deklaratën e policisë. Kjo e fundit nuk e ka përjashtuar mundësinë e arrestimeve të reja në të ardhmen lidhur me këtë çështje. Policia spanjolle sqaroi se ka nisur hetimet pas paraqitjes së tri ankesave nga La Liga për atë ndeshje që hyri në histori edhe për shkak të teprimeve të tjera të tifozëve vendas. Në rezultatin 1-1, ndeshja derbi e Madridit u ndalua për goditjen me çakmakë të portierit Thibaut Courtois. Dënimi disiplinor për këtë ishte një ndeshje pa tifozë e Atletico Madridit dhe gjobitja e klubit.