Radhë kilometrike të autoambulancave në Rusi/ Sistemi spitalor në kolaps (Video)

13 prill 2020 | 10:41

Dhjetëra ambulanca u panë duke pritur jashte spitaleve në kryeqytetin rus, në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të fluksit të madh të pacientëve me koronavirus. Të paktën 45 ambulanca shihen në një video në radhë jashtë për të futur pacientët në spital. Një shofer i ambulancës tha që kishte pritur 15 orë jashtë spitalit për të dorëzuar një pacient të dyshuar se kishte virusin.

 

 

Video tronditëse dhe foto të radhëve të gjata të ambulancave jashtë spitaleve të Moskës janë shfaqur ndërsa zyrtarët e lartë thanë për një krizë alarmante të koronavirusit në kryeqytetin rus. Një radhë e gjatë ishte jashtë një spitali në periferi të Khimkit, afër aeroportit kryesor të Moskës, “Sheremetyevo”.

Një tjetër është parë në Spitalin Nr.3 për veteranët e luftës në Losinoostrovskoy. Pacientët prisnin deri në 15 orë para se të shiheshin nga mjekët, sipas raportimeve.

Në një video të filmuar nga një banor nga dritarja e tij përballë spitalit “Khimki”, burri thotë: “Të gjithë këto [ambulanca] kanë brenda koronavirusin. Ky është spitali përballë dritares time. Dhe kjo është radha e ambulancave. Vetëm mendojeni pak, çdo pacient duhet të pranohet. Kjo zgjat rreth 20 minuta për çdo pacient. Kaq shumë ambulanca … ky është fundi …”.

Kremlini tha të shtunën se një fluks i madh i pacientëve me koronavirus po fillonte të bënte presion në spitalet në Moskë ndërsa numri i vdekjeve të Rusisë u rrit në 130 viktima.

Moska dhe shumë rajone të tjera kanë qenë në bllokim për gati dy javë për të ndaluar rritjen e shifrave, por spitalet në kryeqytet ende po sforcohen afër limitit, thanë zyrtarët.

“Situata në Moskë dhe Shën Petersburg, por kryesisht në Moskë, është mjaft e tensionuar sepse numri i të sëmurëve po rritet”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një intervistë në televizionin shtetëror.

“Ka një fluks të madh të pacientëve. Ne po shohim që spitalet në Moskë punojnë jashtëzakonisht intensivisht, në gjendje heroike, emergjente”.

Qendra e reagimit ndaj krizës koronavirus në Rusi tha që spitalet po merrnin të gjitha masat e mundshme për të siguruar pranime të shpejta dhe se rastet e ambulancave që kishin nevojë të prisnin disa orë për të dorëzuar pacientët nuk ishte një çështje sistematike.

Një kanal “Telegram Mosnow”, tha që spitalet nuk mund të trajtojnë radhën e ambulancave. “Ambulancat po kalojnë orë të tëra duke udhëtuar ndërmjet spitaleve. Duket sikur tashmë nuk ka vende”.

Rusia ka më shumë se 15,770 raste të konfirmuara COVID-19, me 130 vdekje, por shifrat kanë filluar të rriten shpejt. Zëdhënësi i Vladimir Putin pranoi se spitali i kryeqytetit u përball me një situatë jashtëzakonisht të vështirë me pandeminë.

Gjithashtu Dmitry Peskov tha se shëndeti i Presidentit Putin ishte “i shkëlqyeshëm”, pavarësisht se u takua me një mjek që ishte prekur nga koronavirus.

Peskov tha se qëllimi i Rusisë ishte të krahasohej me Gjermaninë sesa vendet e tjera evropiane. Rusia është duke u përgatitur të hapë një spital të ri koronavirusi urgjent brenda disa ditësh, i ndërtuar nga e para në një vend të gjelbëruar në më pak se një muaj.

Klinika e re 100 milionë eurosh në Moskë është ndërtuar nga më shumë se 10,000 punëtorë ndërtimi. Është më i madhi nga rreth 18 spitalet e reja që po ngrihen tani në të gjithë Rusinë për t’u marrë me krizën Covid-19 dhe i vetmi që nuk po ndërtohet nga ushtria.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vetëm gjatë 24 orëve të kaluara Rusia i ka regjistruar…