Radhë të gjata para sporteleve për t’u pajisur me pasaportë
Mbi 144 mijë qytetarë kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaporta nga janari i këtij viti, kur edhe është bërë liberalizimi i vizave. Radhë të gjata të qytetarëve janë para sporteleve në Agjencinë e Regjistrimit Civil, për t’u pajisur me këtë dokument udhëtimi.
Radhë të gjata të qytetarëve, ishin të hënën para sporteleve në Agjencinë e Regjistrimit Civil në Prishtinë, për aplikim për pasaportë. Disa nga qytetarët që i intervistojë Radio Kosova thonë se po presin me orë të tëra për aplikim.
Ata thonë se këto pritje të gjata, po u shkaktojnë edhe vonesa në punë.
“Po presim për të vazhduar pasaportën, po shkoj në shtëpi, pastaj kthehem. Jam duke pritur për pasaportë. Kam ardhur qe gjysme orë, e kam numrin 146 e tash në radhë është numri 100. Besoj që më shumë se gjysmë ore duhet me prit”, ka theksuar një qytetar për Radio Kosovën.
A po ju pengon në proces të punës kjo pjesë?
“Na pengon, se në orar të punës jemi edhe u deshtë të ndalem prej pune për t’i dorëzuar dokumentet, por duhet me prit, nuk kemi çka të bëjmë! Për dokumente duhet me prit 5 deri në 6 javë në mënyrë të rregullt, a në mënyrë të shpejtë duhet paguar 100 euro”, ka deklaruar qytetari.
Nga janari i këtij viti, e deri më sot, numri i aplikimeve për pasaportë të Kosovës është 144 mijë e 225. Në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën nga Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme, theksohet se numri i aplikimeve për pasaportë për herën e parë është 8 mijë e 38, dhe prej tyre dominues është grupmosha 0-18 vjeç, pastaj 45-65 vjeç.
Radio Kosova është interesuar edhe për aplikimet e serbëve të Kosovës, për t’u pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh se pasaportat e lëshuara nga Qendra Koordinuese do të jenë të lejuara për udhëtim me liberalizimin e vizave, e për këtë, zyrtarë nga MPB-ja kanë konfirmuar se ka një rritje të interesimit për t’u pajisur me dokumente të Kosovës krahasuar me vitet paraprake, por pa specifikuar numrin e aplikimeve.
Së fundmi, Agjencia e Regjistrimit Civil ka rritur kapacitetet e prodhimit, për çka në përgjigjet e Radio Kosovës, zyrtarë nga Ministra e Punëve të Brendshme theksojnë se kanë materialë të mjaftueshëm për dokumente, derisa thonë se janë duke punuar në eliminimin e pritjeve të qytetarëve për t’u pajisur me pasaportë.