Radiologjia do të transformohet në klinikë moderne
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) po investon në Radiologji përmes projektit të transformimit në një klinikë moderne.
Investimet kapitale kanë filluar dhe së shpejti do të instalohet rezonanca e dytë magnetike e blerë së fundmi si dhe Tomografia e Kompjuterizuar (CT).
Me angazhimin menaxhmentit dhe përkushtimit të personelit në Klinikën e Radiologjisë është hequr lista e pritjes për pacientë të hospitalizuar për shërbimet e Tomografisë së Kompjuterizuar (CT) dhe është zvogëluar lista e pritjes për pacientët ambulantor për kontrollimet me Rezonancë Magnetike pas angazhimit të stafit gjatë natës dhe fundjavave.
Deri tash pacientët kanë pritur deri në një vit për rezonancë, kurse tani lista e pritjes është reduktuar në vetëm dy muaj.
Gjithashtu është eliminuar rrjedhja e rrezatimit në disa kabinete që është konfirmuar me raportin e Agjencisë për Mbrojtjen nga Rrezatimi.
Planifikimi i renovimit të tërësishëm për instalim e sistemit të ri të ventilimit me qëllim të krijimit të kushteve më të mira në punë që ka munguar për disa vjet është në përfundim.
Teknikëve të radiologjisë në kujdestari u është zvogëluar orari i punës, derisa me propozimin e vetë radiologëve të gjithë do të jenë të inkuadruar në orar të kujdestarisë.
Klinika e Radiologjisë ka punuar edhe në ngritjen profesionale të stafit, sipas teknikave të fundit imazherike.
Me rritjen e numrit të kompjuterëve dhe instalimin e printerëve për herë të parë në çdo hapësirë radiologët kanë kushte më të mira të punës.
Me angazhimin profesional të teknikëve, përdorimi i blendave dhe i mbrojtjes jep siguri nga rrezatimi për pacientët e shërbyer.