
Radoiçiqi shpëton nga drejtësia, zhytet në luks nën tokën e Beogradit
Ndërsa opinioni publik është ende i tronditur nga ngjarjet e sulmit terrorist në Banjskë dhe përfshirjes së e Milan Radoiçiqit në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, në prapaskenë po zhvillohet një tjetër dramë. Ajo e luksit të heshtur dhe ndërtimit të strukturave kolosale nën tokën e Dedinjës, në Serbi.
Një hetim i publikuar nga portaliBIRN ka zbuluar se pikërisht Radoiçiq, bashkë me bashkëpunëtorët dhe të afërmit e pushtetit serb, janë të përfshirë në projektet e ndërtimit që shtrihen në thellësitë e zonës elitare të kryeqytetit serb.
Në një zonë të kufizuar mes Bulevardit të ‘Knez Aleksandar Karadjorgjeviq’ dhe rrugëve Uzicka dhe Cakorska në Beograd, janë duke u ndërtuar hapësira të mëdha nën tokë, në vilat që u përkasin bashkëshortes së Zvonko Veselinoviqit, kumbarit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq – Nikola Petroviq, si dhe ish-bashkëshortes së vetë Milan Radoiçiqit.
Në qendër të këtij zhvillimi është projekti i Ljiljana Bozhoviq, bashkëshortja e Zvonko Veselinoviqit – mik i afërt dhe bashkëpunëtor i Milan Radoiçiqit, dhe një emër kyç në strukturat joformale të pushtetit në veri të Kosovës.
Ajo ka marrë leje për të ndërtuar një strukturë me mbi 2.200 metra katrorë nëntokë – më shumë se dyfishi i sipërfaqes së lejuar më parë. Në këtë hapësirë janë planifikuar garazhe, por nuk dihet qëllimi i pjesës tjetër të objektit.
Në mënyrë të ngjashme, Nikola Petroviq, kumbara i presidentit Vuçiq, ka shtuar më shumë se 1 mijë e 100 metra katrorë nëntokë në pronën e tij, pasi bleu një parcelë ngjitur dhe bashkoi të dyja tokat.
Në rastin e tretë, vila e ish-bashkëshortes së Milan Radoiçiqit, Ema Radoiçiq, përfshin 556 metra katrorë nëntokë, ndërkohë që dokumentet tregojnë se parcela është regjistruar si pronë bashkëshortore edhe pas divorcit të pretenduar në vitin 2017. Aktualisht, prona figuron vetëm në emrin e saj.
Përfshirja e Milan Radoiçiqit në këto projekte ngre pyetje të mëdha për burimin e financimit dhe lidhjet e tij me pushtetin. Pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare dhe akuzave të ngritura pas ngjarjeve të sulmit terrorist në Banjskë, ai dhe rrethi i tij vazhdojnë të përfitojnë nga ndryshimet e fundit në planin urbanistik të Beogradit.
Këto ndryshime, të miratuara në fund të vitit 2023, lejojnë ndërtimin e kateve nëntokësore pa përfshirje në kufirin ligjor të ndërtimit, duke krijuar një rrugë të hapur për zgjerim të paligjshëm dhe të pakontrolluar.