Radojiçiqi mes drejtuesve të artilerisë ushtarake serbe
I njohur për pushtet të fortë në komunat në veri të vendit, si një njeri me mbështetje të madhe nga presidenti i Serbisë, Aleksndar Vuçiq, Millan Radoiçiq është person i njohur për Policinë, inteligjencën e drejtësinë në Kosovë.
Ai që e pranoi se organizoi sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, se u përkujdes për logjistikën, armatimin, aktualisht gjendet në liri në Serbi.
Radoiçiq së bashku me dhjetëra pjesëtarë të tjerë të grupit terrorist arritën që të arratiseshin nga Banjska në orët e pasdites së 24 shtatorit drejt pikës kufitare që njihet si “Izvor” e më pas për Novi Pazar dhe më pas drejt Beogradit.
Në njërin nga kapitujt e raportit që ka përpiluar Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, të cilin e ka siguruar edhe KALLXO.com, flitet për mbështetjen e shtetit serb ndaj grupit paramilitar e terrorist që kreu sulmin në Banjskë, në të cilin u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Mes atyre që bënin pjesë në këtë grup terrorist ishin edhe eprorë të Policisë.
Uglesha Jarediq ishte shef i Njësive Speciale në veri të vendit deri para pak muajsh ndërsa më 24 shtator 2023, ai pretendohet se ishte në Banjskë ku u krye sulmi terrorist.
Si u ndërlidh mbështetja e shtetit serb me Millan Radoiçiq?
Fillimisht në raport është përdorur një fotografi, e cila daton nga 22 prilli 2023.
Millan Radojçiq nën shoqërinë e ish-kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, nënkryetarit tjetër, Igor Simiqit, shefit të Zyrës së Serbisë për Kosovë, Petar Petkoviq dhe dy personave të tjerë, ishin fotografuar në demonstrimin për kapacitete të ushtrisë së Serbisë “Granite 2023”, demonstrim ky që ishte zhvilluar në bazën ajrore në Batajnicë.
Radoiçiq shihet së bashku me përfaqësuesit e tjerë të Listës Serbe dhe Petkoviqin para ushtarëve dhe artilerisë ushtarake serbe.
Mbrapa shihen tanke të ushtrisë së Serbisë dhe të gjithë ushtarët qëndrojnë rresht e të armatosur.
Armët që u përdorën e u gjetën në Banjskë, sipas MPJ-së, janë të prodhuara në Serbi e Rusi.
Dy automjete të blinduara të prodhuara në Serbi, katër motorë me katër rrota me origjinë nga Rusia, 29 vetura gjysma nga to të blinduara, 66 copë Kallashnikovë me origjinë të prodhimit Serbinë, 18 shurdhues, rreth 80 mijë plumba të kalibrave të ndryshëm, 51 granata kundër këmbësorisë, 9 copë mitraloza nga “Zastava Arms”, gjashtë snajperë për distancë të largët, dy snajperë të tjerë “Zastava M12”, 6 pistoleta me shurdhues, 41 “Zola”, 2 granatahedhës “Zastava M93”, 330 granata shpërthyese 30 mm.
Të gjitha këto armë të llojeve të ndryshme luftarake e ushtarake janë prodhuar në Serbi sipas dokumentit të MPJ-së.
Në dokument përmendet edhe se predhat e mortajave 82 milimetërshe dhe 62 milimetërshe janë predha standarde të vendeve me origjinë ish- socialiste.
Këto nuk përdoren nga shtetet e NATO-s.
Pajisje të tjera e armë të tjera që u gjetën në Banjskë e që pretendohet se janë prodhim nga Serbia listohen si më poshtë:
Mortajë M57, 199 predha M57, 3 pajisje për hedhjen e predhave M69, 77 predha M69, 9 mina apo granata kundër këmbësorisë, 8 mina anti- tank, 44 granata të dorës M52, 78 granata të dorës M72, 16 copë eksplozivë 8 kilogramë, 143 copë dinamit, 198 eksplozivë TNT, 34 radiolidhje shumica nga to me origjinë nga Serbia e për disa ende nuk dihet origjina.
Sipas raportit të gjitha këto armë nuk mund të përdoren pa lejen e shtetit i cili i prodhon ato, në këtë rast Serbia, dhe se të njëjtat nuk mund të gjenden në treg të zi.
Ani pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mohoi se shteti serb i ndihmoi Radoiçiqit, ai nuk mund të mohojë dëshmitë se i kërkuari nga Kosova edhe për sulmin terrorist në Banjskë, ishte i pranishëm në demonstrimin e ushtrisë serbe në Batajnicë në prill të këtij viti.
Kujtojmë se partia e Vuçiqit ishte themeluese e Listës Serbe në Kosovë, nënkryetar i të cilës ishte Radoiçiq.