Radojiçiqin s’ia dorëzon Kosovës, Daçiqi pret ekstradimin e ish-ushtarit të UÇK-së të arrestuar nga maqedonasit
Ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Ivica Daçiq, dje në takimin e tij me homologun maqedonas Pançe Toshkovski në pikën kufitare në “Tabanoc” u pyet nëse trupi i pajetë i Faton Hajrizit do të kthehet në Kosovë. Daçiq tha se për këtë nuk vendos MPB-ja dhe se nuk e di procedurën.
Ditë më parë ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani u arrestua në Maqedoninë e Veriut sipas fletarrestit nga Serbia, dhe tani po mbahet në paraburgim në Shkup. Por a pritet që ai të ekstradohet në Serbi?
Daçiq pret që Ramadani të ekstradohet, por në pyetjen se a do të ekstradohet Millan Radojçiq në Republikën e Kosovës, tha se një gjë e tillë është e pamundur.
Ndryshe sot në vendkalimin kufitar Tabanoc filloi fushata “Vozit i relaksuar”. Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski bashkë me homologun e tij Serb theksuan se sa e rëndësishme është të vozitësh në pushim, për të shmangur aksidentet e trafikut në rrugë.
Sa i përket hapjes se pikës kufitare Miratoc – Llojan, kërkesë e kamotshme e qytetarëve ministri Toshkovski tha se çdo temë që është me rëndësi për qytetarët e Maqedonisë, por edhe për qytetarët e Republikës së Serbisë, meriton që së paku të diskutohet. /RTV21