Radomiroviq thotë se “paratë’ ishin shkaku i shkarkimit të tij, mohon akuzat e Rashiqit
Ish-zëvendësministri Radoica Radomiroviq, ka akuzuar ministrin për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq se po tenton të mbulojë mospunën e tij, me shkarkimin e tij.
Radomirovuq i ka mohuar të gjitha akuzat për bashkëpunim me agjencitë sekrete serbe, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
Ai e ka kritikuar ministrinë që udhëheq Rashiq për menaxhimin e fondeve. Sipas tij ndihmat për veriun janë të pamjaftueshme, duke theksuar se nga disa milionë euro janë ndarë vetëm 140 mijë.
Ai përmendi gjithashtu se ka pasur shpërndarje të parave, por pa transparencë për destinacionin e tyre.
“Fillimisht, Rashi tenton ta mbulojë mospunën e tij. Unë personalisht i njoh shumicën e banorëve të Kosovës, dhe ata shpesh nuk i dinë të drejtat që iu takojnë. Sa i përket bashkëpunimit tim me agjencitë sekrete serbe, kjo është sigurisht e pavërtetë dhe nuk qëndron. Këto akuza nuk qëndrojnë. Një rast konkret janë anëtarët e komunave veriore; ata kanë qenë të ndaluar të kalojnë kufirin, për shkak se punojnë për institucionet e Kosovës. Shumica prej tyre janë bashkëpunëtorët e mi. Duhet ta pyesim edhe ministrin Rashiq, se a iu ndodhi ndonjë e njëjtë edhe bashkëpunëtorëve të tij.
Sa i përket testit të sigurisë, lind pyetja: si është e mundur të jem zv/ministër nëse nuk i kam bërë ato kontrolla dhe teste? Unë them se kjo nuk është arsyetim i pranueshëm, sepse nuk qëndron.
Problemi kryesor ka qenë me paratë. Nuk kam hyrë në këtë post për të marrë pjesë në integrimin e serbëve të Kosovës, dhe kjo ishte lidhur me ndihmën. Derisa nuk ekzistojnë ndihma të mëdha, milionat që kanë qenë në pyetje janë të paqëndrueshme. Sa i përket pjesëmarrjes së madhe që jetojnë në veri, është e mjaftueshme se si ministria ndan disa miliona për veriun. Kjo nuk është shumë e mjaftueshme; duhet të jetë më shumë. Nga disa milionë në 140 mijë është shumë e vogël. Ky është problemi. Ne kemi po ashtu njerëz nga Zubin Potoku, ata e dinë për çfarë po flas, që kanë marrë rreth 30 mijë euro.
Por çështja është se nuk dihet se ku janë dërguar ato para. Kjo është çështja kryesore”, ka thënë Radomiroviq në Dukagjini.
Teksa kujtojmë se në fund të shatorit ministri Rashiq kishte treguar arsyet që çuan në shkarkimin e Radomiroviqit.
Ai kishte thënë se shkaku kryesor është se kishte dyshime që Radomiroviq u përfshi në aktivitete në veri e se informacionet i mori nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“Në përputhje edhe me performancën shumë të dobët që kam vërejtur, kam biseduar me Radomiroviqin rreth dy-tri javë më parë dhe i kam kërkuar të japë dorëheqje, sepse në përgjithësi nuk jam i kënaqur me punën e tij. Fatkeqësisht, ai e ka marrë pak në mënyrë dramatike dhe bëri ato lëvizje që kanë qenë, si largimi nga partia, prandaj u detyrova të kërkojë nga kryeministri që të zëvendësohet Radomiroviqi,” tha ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
“Radomiroviq asnjëherë s’ka mundur ta kalojë kontrollin e sigurisë, po ashtu ai ka postuar në llogarinë e tij në Facebook ato llogari të kohës së Listës Serbe ku është vërtetuar qartë se çfarë përvetësimesh janë bërë në periudhën e kaluar. Disa prej veprimeve po hetohen. Nëse do të thoja diçka më shumë do të spekuloja por ne si ministri kemi disa indikacione dhe jemi duke punuar me to”, kishte thënë Rashiq.