Rafet Rama, njeriu i orëve të para të lirisë
Rafet Rama do ta zëvendësojë Nezir Çoçajn në pozitën e deputetit, pasi ky i fundit e ka dorëzuar mandatin për arsye personale.
Rama përpos që ka qenë deputet në legjislaturën e kaluar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ai ka qenë njëri prej ushtarëve të parë të UÇK-së, bashkë me komandantin legjendar Adem Jashari, ku të dytë janë nga i njëjti fshat, Prekazi i Skenderajt .
Ai gjatë luftës në Kosovë ka qenë i plagosur, ku sot e asaj ditë ende në trupin e tij ka copëza të plumbave.
Rama ishte plagosur më 6 maj të vitit 1997 në kufirin shqiptaro-shqiptar. Në këtë betejë me forcat serbe kishte rënë heroikisht, Luan Haradinaj, vëllai i kryeministrit të Kosovës.
Përpos Rafet Ramës në këtë betejë kanë qenë pjesëmarrës edhe Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Gani Rama e Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti.