Rafi Halili, një libër që frymëzoi brezat e atdhetarëve
Duhet të jemi me fat që kishim në mesin tonë një idealist të kulluar që i fali gjithçka kauzës kombëtare, për ta bërë fitoren sa më kuptimplote. Mjafton të kthejmë kokën prapa dhe do të na del në shiritin e kohës viti 2001, kur ideali i lirisë dhe sakrifica u bënë një.
Në një cep të atij shiriti do të na del edhe figura e Rafi Halilit, i cili edhe tani kur nuk është në mesin tonë, vazhdon të imponojë respekt të palëkundur për gjithë atë veprimtari prometeane.
Shkruan Prof. dr. Skender ASANI
Rafi Halili është një hero i heshtur por tepër aktiv që i dha rezistencës shqiptare kuptimin dhe orientimin e duhur. Heronjt si Rafiu janë të rrallë, por veprimtaria e tyre mjafton të bëhet udhërrëfim për të tjerët. Trajektorja e jetës dhe e veprës së Rafi Halilit, kaloi nëpër një kronikë të ngjeshur ngjarjesh ku ai jo vetëm që ishte protagonist, por ishte edhe frymëzues i një procesi të gjatë e të vështirë të vetëdijësimit dhe ndërgjegjësimit kombëtar të shqiptarëve të kësaj ane.
Patriotizmi i Rafi Halilit fillimisht ishte individual, madje në një moshë shumë të re, por me kalimin e kohës, ky patriotizëm u mbindërtua dhe mori konturat e një organizimi. Pra, ai nuk veproi në mënyrë stihike, por pati si qëllim që përmes formës së organizuar të rezistencës, siç ishte organizata “Kushtrimi i lirisë”, të sendërtojë kauzën e lirisë kombëtare.
Figura e Rafi Halilit meriton një studim më të detajuar dhe format e tilla të debatit shkencor, si ky që po organizohet sot, hedhin dritë më shumë mbi jetën dhe veprën e tij, sepse vetëm pasi të studiohen mirë figurat e tilla kombëtare, mund të themi se i kemi arsyetuar përfitimet kombëtare nga sakrificat titanike të Rafi Halilit. Sa më mirë ta njohim historinë e rezistencës shqiptare, aq më e dinjitetshme do të jetë e ardhmja.
Sikur Prometheu në Antikë që u mund por asnjëherë nuk u thye, edhe Rafi Halili me zjarrin e tij të atdhedashurisë mbolli farën e shpresës te zemrat e bashkëkombasve, por u bë tmerr për sistemin represiv që e torturonte deri në vdekje për idetë dhe idealin të cilin ai e ushqente me shpresën se një ditë sakrifica e tij do të bëhet dritë për të ndriçuar udhët gjysëm të errta të ardhmërisë.
Rafi Halili ishte pjesë e rezistencës shqiptare që pati kontekstet dhe specifikat e veta, për arsye se veprimtaria e tij nuk duhet shikuar ndaras nga përpjekjet e përgjithshme për liri të popullit shqiptar që jetonte në ish Jugosllavi, ku organizimi ilegal ishte mjeti i vetëm që po bëhej një katalizator i formimit të vetëdijes politike e kombëtare të shqiptarëve.
Tani kur po flasim për këtë figurë të rëndësishme të rezistencës shqiptare, kemi dy linjat e forta të kohës që shkonin kundër njëra tjerës; linja e represionit dhe ndjekjes dhe linja e mospërkuljes dhe qëndresës titatnike. Duke qenë përfaqësues i linjës së dytë, Rafi Halili në arkivat e UDB-së do të mbetet personazhi më i veçant i mosbdinjes politike ndaj një sistemi që prodhonte vazalitet dhe nënshtrim. Ai arriti t’iu mbijetoj vuajtjeve dhe të bart tek të burgosurit tjerë përvojën e tij personale të stoicizmit, si një filozofi unike e mosnënshtrimit.
Me veprimet e tij të guximshme, por tepër të rrezishme dhe me pasoja për jetën dhe shëndetin e tij, Rafi Halili u bë një libër që lexohej në distancë nga të burgosurit e tjerë. Sado që torturuesit mundoheshin t’i grisnin faqet e këtij libri, ai për çdo ditë shtonte faqe të tjera duke i shkruar me lapsin e padukshëm që prodhonte durim, shpresë e vetëflijim. Libri i Rafi Halilit mbetet literatura më gjikante e frymëzimit për liri dhe detyrim i yni është brezat që do të vjnë të mësojnë për historinë e lavdishme të sakrificave kombëtare, të cilat ishin bazamenti i lirisë dhe barazisë që gëzojmë ne sot.
Liria e një populli nuk vjen rastësisht. Nuk janë edhe të rastësishme figurat kombëtare që i prijnë një populli. Vetëm pse ishte i vetëdijshëm dhe i informuar për gjendjen e popullit të tij, Rafi Halili deshi të niset nga vetvetja dhe të na thotë se secili prej neve, aq sa mundet, e ka për obligim të jetë në anën e popullit që po vuante pasojat e një politike diskriminuese për shqiptarët. Në kohën kur veproi Rafiu, sigurisht që kishte njerëz që frikësoheshin edhe emrin t’ia përmendin, por ai ishte i vetëdijshëm se rrënjët e robërisë duhet shkulur duke ua mbytur frikën njerëzve, me veprime që ia prishnin gjumin istemit represiv. Kjo ishte edhe arsyeja pse Rafi Halili nuk zgjodhi arratisjen, por qëndresën, nuk zgjodhi luftën në distance, por përfshirjen direkte në frontin e zjarrit.
Ky ishte misioni i një Prometheu që kishte zgjedhur vetflijimin si formën më të vështirë, por më të duhur, për të reflektuar idetë e mosnënshtrimit që kishin nevojë të përhapeshin sa më gjerë. Me ato ide, Rafi Halili betonoi bindjen se vetëm rezistenca e pandërprerë mund të rezultojë në një fitore, kurse fitorja mbetet nocion abstrakt përderisa të mos preket dhe të mos shijohet.
Duhet të jemi me fat që kishim në mesin tonë një idealist të kulluar që i fali gjithçka kauzës kombëtare, për ta bërë fitoren sa më kuptimplote. Mjafton të kthejmë kokën prapa dhe do të na del në shiritin e kohës viti 2001, kur ideali i lirisë dhe sakrifica u bënë një. Në një cep të atij shiriti do të na del edhe figura e Rafi Halilit, i cili edhe tani kur nuk është në mesin tonë, vazhdon të imponojë respekt të palëkundur për gjithë atë veprimtari prometeane.
Lavdi jetës dhe veprës së Rafi Halilit!
(Fjalë rasti në tribunën me titull: Kontributi i organizatës “Kushtrimi i Lirisë” dhe roli i Rafi Halilit në historinë shqiptare)