
Rafuna: Bizneset e alarmuara, kalimi i shpejtë në tregun e hapur mund t’u shkaktojë humbje të mëdha
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka ngritur shqetësimin e bizneseve lidhur me ndryshimet e fundit për furnizimin e tyre me energji elektrike.
Sipas Rafunës, bizneset nuk janë kundër daljes në tregun e hapur, por shqetësimi kryesor mbetet koha e shkurtër e tranzicionit dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në çmimet e prodhimeve.
“Le të kuptohemi që në fillim, bizneset nuk i rezistojnë daljes në tregun e hapur. Përkundrazi, tregu i hapur ka si qëllim strategjik rritjen e konkurrencës, duke iu mundësuar bizneseve të gjejnë furnizues me çmime më të favorshme dhe furnizim më të qëndrueshëm me energji elektrike. Megjithatë, bizneset janë njoftuar shumë vonë dhe afati deri më 1 qershor është shumë i shkurtër për t’u përgatitur për këtë ndryshim”, ka theksuar Rafuna në RTV Dukagjini.
Sipas tij, Oda Ekonomike ka analizuar situatën dhe ka vërejtur se çmimi i energjisë elektrike mund të rritet nga 50% deri në 100% për bizneset që kalojnë në tregun e hapur.
Ky ndryshim automatikisht do të ndikojë në çmimin e produkteve të tyre, duke i bërë ato më të shtrenjta si në tregun e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Në një takim të mbajtur në Odën Ekonomike, me pjesëmarrjen e rreth 100 bizneseve dhe përfaqësuesve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), bizneset shprehën pakënaqësinë e tyre për mungesën e paralajmërimit të duhur dhe mungesën e një faze tranzicioni.
Rafuna ka theksuar se shumë biznese kanë kontrata të lidhura për një vit për shitjen e produkteve të tyre, dhe rritja e menjëhershme e kostos së energjisë do të ndikojë negativisht në konkurrueshmërinë e tyre.
“Po ashtu, kemi shqetësime serioze edhe për eksportet e bizneseve tona. Nëse rritet çmimi i produkteve për shkak të kostove të larta të energjisë, mund të ulet kërkesa për produktet e Kosovës në tregun ndërkombëtar, duke vënë në rrezik marrëveshjet tregtare që bizneset kanë ndërtuar me shumë mund”, shtoi Rafuna.
Ai gjithashtu vuri në dukje se vendet fqinje si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë zbatuar subvencione për të ndihmuar bizneset gjatë kalimit në tregun e hapur të energjisë, ndërsa në Kosovë nuk ka asnjë formë mbështetjeje nga institucionet qendrore apo lokale.
Në këtë kontekst, Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar nga Avokati i Popullit që të shqyrtojë mundësinë për ta çuar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar një shtyrje të afatit për të paktën një vit, në mënyrë që bizneset të kenë kohën e nevojshme për t’u përgatitur.