Rafuna: Do ta avancoj bashkëpunimin e bizneseve brenda dhe jashtë Kosovës

15 korrik 2022 | 13:06

Oda Ekonomike e Kosovës do të jetë shtëpi e sigurt për të gjitha bizneset e vendit dhe ato jashtë Kosovës, tha në intervistën për “Radion Evropa e Lirë”, kryetari i ri i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Ai u shpreh se Oda do t’u shërbejë interesave, kërkesave dhe ankesave të bizneseve private duke i adresuar ato tek institucionet shtetërore.

Rafuna premtoi edhe intensifikim të bashkëpunimit me institucionet e larta shtetërore.

“Programi im është zhvillimi tutje i Odës Ekonomike të Kosovës. Qëllimi është që Odën Ekonomike ta shndërrojmë në një shtëpi të biznesit, ku do të trajtohen ankesat, kërkesat por edhe idetë e biznesit. E dyta është digjitalizimi i Odës. Jemi në vitin 2022 ku shërbimet e digjitalizimit kanë avancuar, duhet edhe Oda të avancohet në mënyrë që t’iu shërbejë bizneseve. E treta, është krijimi i një partneriteti të sinqertë dhe transparent me institucionet e Republikës së Kosovës, me Qeverinë, Presidencën dhe Kuvendin e Kosovës. Në mënyrë që të gjithë se bashku të punojmë për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe për avancimin e bizneseve qoftë brenda apo jashtë Kosovës, që automatikisht do të reflektojë në një pasqyrë më të mirë tek investitorët e huaj për të ardhur për të investuar në vendin tonë”, ka thënë Rafuna.

Ai ka theksuar se diplomacia ekonomike tani është duke u zhvilluar me një model të ri, jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha vendet e rajonit.

“Kemi rastin e fundit ku Qeveria e Kroacisë ia ka bartur Odës Ekonomike të Kroacisë që të udhëheqë diplomacinë ekonomike. Unë e kisha një ndër pikat kyçe në programin tim dhe ideja është që së bashku, prapë e theksoj, se diplomacia ekonomike udhëhiqet edhe me Presidencën dhe me Qeverinë për shkak të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Dhe, në këtë trekëndësh të vendosim një bashkëpunim të ngushtë, në mënyrë që të kemi një program”, është shprehur Rafuna.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë me…