Rafuna: Nga muaji mars Shqipëria dhe Kosova do ta kenë një pikë të përbashkët doganore Morinë – Vermicë

26 shkurt 2018 | 15:12

Lulzim Rafuna, këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për dogana dhe tatime, ka thënë se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ka avancuar shumë. Ai ka thënë se çdo ditë e më shumë bizneset e Kosovës dhe të Shqipërisë janë duke e shtrirë bashkëpunimin mes vete.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Rafuna ka theksuar se kryeministri Rama është duke marrë hapa konkretë për thjeshtëzimin e procedurave dhe eliminim në minimum të mundshëm të burokracisë me letra, “me të vetmin qëllim që kufiri i Shqipërisë me Kosovën të jetë sa më pak i dukshëm sesa si administratë klasike’.

Ish-drejtori i Doganës së Kosovës ka bërë me dije se në muajin e ardhshëm do të ketë lehtësira doganore ndërmjet dy vendeve. Sipas Rafunës, do të jetë një pikë e përbashkët doganore Kosovë – Shqipëri në kufirin Morinë – Vërmicë. “Këtu do ta kemi ndryshimin më të madh në muajin e ardhshëm, në mars, ku do t’i vendosim të dy doganat në një dritare të vetme”, ka thënë Rafuna. Ai ka pohuar se bashkëpunimi doganor ndërmjet dy vendeve ka avancuar shumë, sidomos që nga vitit 2014 e tutje.

“Epoka e re”: Z. Rafunaju tani më shumë se një vit jeni pjesë e kabinetit të këshilltarëve të  kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Si erdh deri te ky vendim?

Rafuna: Pas përfundimit të mandatit tim në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës, kryeministri Edi Rama ma ofroi pozitën e këshilltarit special për dogana dhe tatime. Kjo për mua ishte nder shumë  i madh së pari t’i shërbej një kryeministri të Shqipërisë siç është Edi Rama dhe, e dyta, më ofrohet një pozitë e tillë e cila vjen si rezultat i punës së bërë gjatë mandatit tim në reformën e Doganës së Kosovës.

“Epoka e re”: A mund ta konsiderojmë këtë si përafrim të dy shteteve sa i përket bashkëpunimit edhe të kuadrove dhe proceseve të tjera që kanë këto dy vende?

Rafuna: Pa dyshim se po. Është hera e parë në Qeveri të Republikës së Shqipërisë që angazhohet një këshilltar nga Kosova si pjesë e stafit të rregullt të kryeministrit Rama (jo me projekte të huaja), që e zgjedh vetë kryeministri. Ky është një hap shumë i madh në avancim të marrëdhënieve tona në çdo aspekt. Është një vendim i cili nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në të kaluarën. Në anën tjetër, kjo tregon se sa të rëndësishme e ka çështjen e Kosovës në agjendën e vet kryeministri Rama,  për avancim jo vetëm të marrëdhënieve tona të dy shteteve, por edhe më lart në fusha të tjera për ta mbështetur Kosovën në avancimin e saj.

“Epoka e re”: Si e vlerësoni bashkëpunimin ekonomik Kosovë – Shqipëri?

Rafuna: Bashkëpunimi ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë ka avancuar shumë dhe për këtë jam shumë i lumtur, sidomos tani që kam mundësi të shoh në dy shtetet një avancim shumë të madh në çdo aspekt. Çdo ditë e më shumë bizneset e Kosovës dhe të Shqipërisë po e shtrijnë bashkëpunimin mes vete. Kjo është për t’u vlerësuar. Se as është i mjaftueshëm ky bashkëpunim, pa dyshim se jo, sepse ka ende shumë hapësirë për bashkëpunim për lehtësimin e shumë temave. Kryeministri Rama është duke marrë hapa konkretë për thjeshtëzimin e procedurave dhe eliminimin e burokracisë me letra, me të vetmin qëllim që kufiri i Shqipërisë me Kosovën të jetë sa më pak i dukshëm sesa si administratë klasike. Këtu do ta kemi ndryshimin më të madh në muajin e ardhshëm, në mars, kur do t’i vendosim dy doganat në një dritare të vetme. Çdo biznes vetëm do të evidentohet në vendkalimin doganor të Morinës. Vuajtjet e biznesit nga procedurat doganore klasike do të marrin fund gradualisht në muajt e ardhshëm. Çdo ministër në Qeverinë e Shqipërisë e ka të qartë vizionin e kryeministrit Rama karshi shtetit të Kosovës. Të gjithë ministrat e Shqipërisë e trajtojnë Kosovën me prioritetin më të lartë në kuadër të punës së tyre ditore, si brenda shtetit, po ashtu edhe jashtë shtetit, në çdo takim me homologët e tyre apo edhe në konferenca të ndryshme ndërkombëtare.

“Epoka e re”: Sa ka avancuar bashkëpunimi doganor ndërmjet dy shteteve?

Rafuna: Bashkëpunimi doganor ka avancuar shumë, sidomos që nga viti 2014 e tutje. Mund të them lirisht se vetëm administrativisht jemi dy administrata doganore të dy shteteve por, në fakt, veprojmë si një trup në operativë. Bashkëpunimi është i shkëlqyeshëm prej fazës së bashkëpunimit në shkëmbim të të dhënave në kohë reale deri te trajnimi i stafit të përbashkët. Nuk ka asnjë pengesë në bashkëpunim të dy administratave.

“Epoka e re”: Mbetet evident bashkëpunimi tregtar Kosovë – Serbi, më shumë se me shtetin amë. Pse po ndodh kjo, dhe cilat aspekte duhen përmirësuar?

Rafuna: Në këtë rast duhet ta kemi parasysh se ndikojnë disa faktorë. E para, lidhjet e vjetra tregtare, e kam fjalën që nga vitet e ’80-ta. E dyta,  po ashtu dihet se kompanitë e huaja kanë themeluar apo në forma të tjera janë vendosur dhe prodhojnë në Serbi. Pra, ato kompani i detyrojnë blerësit e tyre kosovarë të blejnë të njëjtin produkt të huaj, por që tani prodhohet në Serbi që, në fakt, për ne në Kosovë, reflekton eksport nga Serbia. E mira është se bizneset po shtrijnë bashkëpunimin edhe me Shqipërinë dhe kjo shihet nga statistikat zyrtare të institucioneve të dy shteteve për më shumë. Shumë produkte të cilat në të kaluarën, sidomos ato bujqësore, janë importuar nga Maqedonia dhe Serbia, janë zhvendosur dhe po importohen nga Shqipëria. Ne kemi një klimë ideale që mund të kombinohemi gjatë tërë stinës në mes të dy vendeve tona. Dy qeveritë kanë ndërmarrë hapa dhe, po ashtu, janë duke ndërmarrë veprime çdo ditë e më shumë për ta eliminuar burokracinë institucionale. Komuniteti i biznesit ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm mes tyre. Po ritheksoj se ende ka hapësirë për avancim të marrëdhënieve tona. E kisha këshilluar komunitetin e biznesit që të ushtrojë pa reshtur kërkesa tek të dyja qeveritë për t’i ndihmuar në të bërit biznes. Tani është fat që në Qeverinë e Kosovës kemi ministër të Financave z. Hamza dhe në Qeverinë e Shqipërisë z. Ahmetaj, të cilët kanë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Veçse e kanë filluar bashkërendimin e veprimeve që duhet të merren nga dy qeveritë për integrim më të madh dhe të shpejtë të dy ekonomive tona. Nuk duhet harruar se për dy shtetet tona sa më shpejt që ekonomikisht integrohemi dhe harmonizohemi me politika, do të jetë më e dobishme për zhvillim më të fuqishëm ekonomik të dy shteteve tona. Është shumë mirë që po ndodh integrimi më i shpejtë ekonomik Kosovë – Shqipëri sesa me rajonin. Një treg i harmonizuar me një numër të kësaj popullate që kemi të të dy shteteve na bënë shumë më atraktivë në aspektin e investimeve dhe konkurrencës me cilindo treg të çdo shteti të rajonit. Të dy ministrat janë duke bërë hartimin e akteve të përbashkëta që tregojnë një rrugë integruese, harmonizuese të politikave të përbashkëta të tregut për zhvillim më të fuqishëm ekonomik të të dyja shteteve.

“Epoka e re”: Sipas të dhënave në dispozicion në vitin 2017, Shqipëria eksporton në Kosovë mallra në vlerë rreth 150 milionë euro, ndërsa Kosova eksporton në Shqipëri rreth 35 milionë euro. Pse janë më të pranishme produktet e Shqipërisë në Kosovë?

Rafuna: Tani është zhvendosur kërkesa nga shtetet fqinje të tjera të Kosovës në Shqipëri, por edhe interesimi i eksportuesve të Shqipërisë është shtuar për të eksportuar në Kosovë. Kjo lidhje, përkatësisht bashkëpunimi, ndihmon që edhe produktet tona të eksportohen në Shqipëri dhe të gjitha këto subjekte së bashku ta shtrijnë bashkëpunimin për të eksportuar së bashku edhe jashtë Shqipërisë.

“Epoka e re”: Në sezonin e verës zakonisht eksportuesit nga Kosova po përballen me barriera për në Shqipëri. Për shembull, kishim rastin e patave dhe të rrushit.

Rafuna: Fatkeqësisht, kjo ka ndodhur. Fatmirësisht, i takon së kaluarës.

“Epoka e re”: Pritet që këtë verë të mos përsëriten këto probleme?

Rafuna: Nëse ndodh një gjë e tillë, do të nxirret publikisht arsyeja pse po ndodh një gjë e tillë.

“Epoka e re”: Në fund, a mund të flasim për vetëm një pikë të përbashkët doganore Kosovë – Shqipëri?

Rafuna: Po do të ndodhë. Në muajin mars, në kufirin Morinë dhe Vërmicë. Shqipëria i ka bërë të gjitha përgatitjet për t’ia dorëzuar në shfrytëzim Qeverisë së Kosovës, pas një kohe të gjatë, zyrën e operimit të Doganës së Kosovës në Durrës. Pas përfundimit të procedurave në Qeveri të Kosovës, mbetet të vendoset se kur do ta marrë në shfrytëzim zyrën doganore.

Albulena S. MAVRAJ

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Korporata e njohur nga Kosova, Fluidi Corporation, e cila operon…