Rahimaj: Kamenica njihet për bashkëjetesë të mirë mes komuniteteve
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka pritur në takim menaxherin e OJQ “AKC” në Graçanicë, Marko Trajkovic si dhe dy përfaqësuese të kësaj organizate.
I pari i komunës ka thënë se Kamenica njihet për bashkëjetesë të mirë mes komuniteteve, andaj sipas tij bashkëpunimi me këtë organizatë është i mirëpritur.
“Një nga vlerat më të mëdha të Kamenicës është bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve, e që besoj se kjo vlerë duhet të jetë model për komunat tjera. Kjo është si rezultat i institucioneve komunale por edhe i kulturës qytetare. Andaj është e nevojshme të bëjmë hapin e dytë që ka për qëllim zhvillim të qëndrueshëm të përbashkët mes komuniteteve. Zhvillimi i përbashkët e forcon edhe më shumë bashkëjetesën dhe tolerancën, kështu që mirëpres çdo bashkëpunim që ka të bëjë me këtë qëllim”, ka thënë Rahimaj.
Edhe menaxheri i kësaj organizate, Marko Trajkovic u shpreh se është i gatshëm që të bashkëpunoj me Komunën e Kamenicës, duke zhvilluar projekte që forcojnë edhe më shumë bashkëjetesën në mes komunitetesh.