Rahovec, përurohet shkolla e re “Tre dëshmorët”
Në luginën e Arashit, ndërmjet dy fshatrave Vrajakë dhe Bratotin, u përurua finalizimi i ndërtimit të objektit të ri të Shfmu “Tre dëshmorët”.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i shoqëruar nga drejtori i arsimit dhe bashkëpunëtorët, në praninë e nxënësve, mësimdhënësve dhe qytetarëve të shumtë nga të dy fshatrat, përuruan këtë projekt, i cili kishte nisur tre vite më parë, kur ministër i Arsimit ishte, Ramë Likaj.
E pranishme në këtë ceremoni festive ishte edhe ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, e shoqëruar me zyrtarë të tjerë nga MASHTI.
Vlera monetare e ndërtimit të kësaj shkolle është 365.899,75 euro, projekt ky që u financua nga MASHTI dhe ekzekutimin e punimeve e ka bërë operatori ekonomik “Euroing”.
Objekti i ri i shkollës ka 9 dhoma mësimi, kabinetin e informatikës, hapësirën për klasë parashkollore, sallën e arsimtarëve, nyjet sanitare dhe në oborrin e shkollës është ndërtuar edhe fusha sportive.