Rahoveci e Besa Famgas në kërkim të vendit në finale
Të shtunën prej orës 19:00 janë ndeshjet e dyta të gjysmëfinales së plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt).
Në “Minatori” në Mitrovicë takohen Trepça e Rahoveci.
Rahoveci fitoi të mërkurën në ndeshjen e parë me rezultat 37:28. Me tjetër fitore siguron vendin në finale.
Ndeshja në Rahovec ishte e fortë, sidomos në pjesën e dytë kur mitrovicasit u kthyen në lojë. Por në fund sërish Rahoveci u shkëput për fitore bindëse.
Në Ferizaj takohen Kastrioti e Besa Famgas. Të enjten në Pejë, Besa fitoi me rezultat 30:27, ndërsa ishte në epërsi thuajse gjithë kohën.
Kastrioti ka telashe me lëndimin e lojtarëve, por pa telashe nuk është as Besa.
Derisa pejanët shpresojnë të sigurojnë biletën për finale, ferizajasit do të bëjnë çdo gjë për të siguruar ndeshjen e tretë që do të luhej sërish në Pejë.
Kastrioti, që ka fituar Kupën, llogarit edhe në përkrahjen e shikuesve.