Rahoveci e fiton ndeshjen e fortë me Kastriotin në Ferizaj
Kastrioti e Rahoveci kanë zhvilluar një pjesë të dytë shumë të fortë të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj. Dhe në fund, dallimi i bërë në pjesën e parë ishte vendimtar.
Rahoveci e fitoi me rezultat 39:35 derbin e xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në hendboll.
Vendasit vonë u futën seriozisht në lojë. “Vreshtarët” krijuan epërsi 7:1, 8:2 e 9:3 dhe vetëm më pas ferizajasit nisën të reagojnë. U afruan në 9:6 e 10:7, por sërish mysafirët krijuan epërsi të lartë.
Pjesa e dytë ishte dukshëm më e fortë dhe më interesante. Në minutën e 36-të, Kastrioti ngushtoi rezultatin në 22:19. Por pranuan gol të lehtë për 23:19 dhe kjo sikur ndali hovin e tyre. Loja e fortë megjithatë vazhdoi, por Kastrioti ia doli të afrohet vetëm në katër gola dhe atë disa herë.
Lojtarët e Rahovecit e ruajtën qetësinë dhe epërsinë e krijuar e mbajtën deri në fund.
Antonio Vozila i shënoi nëntë gola për Rahovecin. Tetë i kishte Mali Luzha e gjashtë Jeton Bislimi.
Te Kastrioti 11 gola i shënoi Rron Ramadani e 10 i kishte Deniz Terziqi.
Për kampionin në fuqi, Rahovecin, është fitorja e katërt rresht. Udhëheq në tabelë me tetë pikë. Kastrioti e pësoi humbjen e dytë, ndërsa e ka edhe një fitore.
Po të shtunën, Besa Famgas fitoi pa telashe ndaj Trepçës në Mitrovicë me rezultat 49:22.
Besa është e dyta me gjashtë pikë.
Trepça është e fundit, në kërkim të pikëve të para.