
Rahoveci i pandalshëm, e fiton bindshëm derbin
Vetëm në pjesën e parë të ndeshjes Rahoveci – Besa Famgas kishte rivalitet. U zhvillua lojë e fortë dhe e barabartë në 30 minutat e parë.
Skuadra pejane u shkëput në dy gola, por në minutat e fundit “vreshtarët” u shkëputën në tri gola.
Ndërkohë pjesa e dytë e ndeshjes u dominua plotësisht nga Rahoveci që në fund fitoi 41:30. Ndeshja Rahoveci – Besa Famgas u zhvillua të enjten mbrëma në palestrën “Mizahir Isma”.
Ishte derbi i xhiros së 22-të të Superligës së Kosovës në hendboll.
Rahoveci ka 22 fitore rresht dhe udhëheq në tabelë me 42 pikë. Besa Famgas e pësoi humbjen e pestë. I ka edhe 17 fitore dhe renditet e dyta me 34 pikë. Alban Haziri ishte më efikasi te Rahoveci me 10 gola. Nga tetë i shënuan Egzon Gjuka e Jon Muqolli. Olsi Mulaj i shënoi nëntë gola për Besën e Pejës. Gjashtë i shënoi Amar Muqolli e pesë Vladimir Stankoviq.