
Rahoveci i pandalshëm, fitore të rëndësishme për Trepçën e Vushtrrinë
Rahoveci ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në hendboll. Të dielën mbrëma në kryeqytet, Rahoveci e mposhti Prishtinën me rezultat 37:31. Rahoveci ishte vendas në ndeshjen e xhiros së 17-të, por sfida megjithatë u zhvillua në Prishtinë për shkak se palestra në Rahovec është e zënë me numërimin e votave.
Rahoveci ka 17 fitore dhe udhëheq në tabelë me 34 pikë. Prishtina renditet e katërta me 17 pikë. Egzon Gjuka i shënoi 13 gola për “vreshtarët”, derisa nga pesë i shtuan Mali Luzha e Jon Muqolli. Nga tetë gola te Prishtina i kishin Oltion Beshiri e Albi Gjuka, ndërsa gjashtë i realizoi Erion Bajramaj.
Dy ndeshjet tjera të së dielës kishin peshë në garën për mbijetesë. Trepça e shënoi fitoren e tretë rresht. E mposhti Llapin në Samadrexhë me rezultat 36:31. Arbër Neziri i shënoi 10 gola për “xehetarët”, ndërsa nëntë i kishte Ermir Smaka. Blerton Hasani realizoi shtatë gola për llapjanët, derisa pesë i kishte Rifat Visoka. Trepça mbetet e fundit, por tani i ka gjashtë pikë, vetëm dy më pak se Vjosa.
Llapi është i gjashti me nëntë pikë. Fitoren më të thellë të xhiros e shënoi Vushtrria. Në Shtime e mposhti Vjosën me rezultat 63:14. Me fitore Vushtrria doli në vendin e pestë me 10 pikë.