Rahoveci kompenson bujqit që pësuan nga vërshimet
Komuna e Rahovecit në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) pritet t’i kompensojnë 243 bujq të cilët janë dëmtuar nga vërshimet. Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë me dije se paraprakisht janë kompensuar 214 bujq derisa në pritje janë edhe 83, të cilët ka thënë se do të kompensohen në ditët në vazhdim.
“Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave të MBPZhR-së, pas shqyrtimit të ankesës së bazuar në faktet, argumentet dhe dëshmitë e ofruara prej Komunës së Rahovecit, dje i ka kualifikuar edhe 243 bujq, të cilët do të dëmshpërblehen. Sipas raportit të Drejtorisë Komunale për Bujqësi, i cili po vazhdon të shqyrtohet në MBPZhR, përkatësisht në Komisionin për Ankesa të kësaj ministrie, nga 540 bujq që u janë dëmtuar kulturat e tyre nga fatkeqësitë natyrore, ditë më herët 214 bujq janë kompensuar, kur i shtojmë edhe 243 të kualifikuar që do të kompensohen, na mbetet ta vazhdojmë ‘betejën’, edhe për 83 bujq”, ka shkruar Latifi në “Facebook”.
Latifi ka falënderuar Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave të MBPZhR-së për bashkëpunimin konstruktiv me Drejtorinë Komunale të Bujqësisë së Rahovecit, e cila i ka ofruar këtij komisioni dëshmi shtesë. “Po ashtu u jam mirënjohës edhe komisioneve të komunës sonë, që kanë bërë një punë të mundimshme për regjistrimin, vlerësimin objektiv dhe përgatitjen e gjithë dokumentacionit të nevojshëm, për t’u kompensuar bujqit e dëmtuar. Ju bëj thirrje bujqve për mirëkuptim, duke besuar se do të përfundojë ky proces në të mirën e tyre!”, ka shkruar Latifi.