Rahoveci mposhtet në Belgjikë, kualifikimin e kërkon në ndeshjen e kthimit
Kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci, ka luajtur ndeshje të fortë të shtunën mbrëma në Belgjikë.
“Vreshtarët” megjithatë u mposhtën nga Sezoens Achilles Bocholt me rezultatin 32:29. Ky rezultat e lë të hapur sfidën për ndeshjen e dytë, që zhvillohet pas një jave në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Në ndeshjen e kthimit rahovecasit synojnë suksesin historik, përkatësisht kalimin në raundin e tretë të Kupës Evropiane për hendbollistë.
Ndeshja në Bocholt ishte e fortë dhe e barabartë.
Pjesë e parë e fituan vendasit me rezultat 15:14. Pjesa e dytë u hap më mirë nga Rahoveci, që në minutën e 46-të kishte përparësi prej dy golash, 24:22. Vetëm pas minutës së 50-të skuadra belge doli para në rezultat. Me seri prej pesë golash u shkëput në 29:25. Rahoveci megjithatë ia doli të afrohet në tri gola, që është rezultat “aktiv” për ndeshjen e kthimit.
Për shkak të cilësisë së përafërt të skuadrave edhe ndeshja e dytë pritet të jetë e fortë.
Egzon Gjuka i kishte 11 gola nga 15 tentime për Rahovecin. Tetë gola nga nëntë tentime i shënoi Alban Haziri, ndërsa nga katër gola i kishin Arbios Mushkolaj (9/4) dhe Victor Alonso (10/4).
Arti Luzha i kishte shtatë pritje, tri prej të cilave rresht në tri aksione në mesin e pjesës së dytë.
Rahoveci për herë të dytë po paraqitet në gara evropiane dhe e synon kualifikimin e parë.