Rahoveci pa telashe, Prishtina mbahet vetëm një pjesë, fiton Vushtrria
Janë zhvilluar të shtunën ndeshjet e xhiros së 23-të të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt).
Lideri i klasifikimit, Rahoveci, nuk ka lejuar befasi. Ka mposhtur Vëllaznimin në Gjakovë me rezultat 52:38. Rahovecasit herët krijuan epërsi të lartë dhe më pas menaxhuan ndeshjen deri në fund.
Alban Haziri i shënoi 11 gola për Rahovecin, nëntë i kishte Mali Luzha, derisa nga shtatë i shtuan Granit Kadiri e Matheus Henrique.
Arnis Spahija e Besmir Kusari i kishin nga nëntë gola për ekipin vendas. Shtatë i realizoi Arbër Neziri.
Rahoveci ka 23 fitore rresht dhe udhëheq në tabelë me 46 pikë.
Në Ferizaj janë takuar Kastrioti e Prishtina. Skuadra prishtinase ishte rivale e barabartë në pjesën e parë, që përfundoi 21:17 në të mirë të Kastriotit.
Vendasit ishin të paarritshëm për Prishtinën në pjesën e dytë dhe fituan 49:38.
Lulzim Shabani i shënoi tetë gola për Kastriotin, kurse nga shtatë i kishin Hamdi Salihu, Beni Sula e Festim Mustafa.
Nga 12 gola për Prishtinën i shënuan Albi Gjuka e Enis Kuleta.
Kastrioti është i treti me 30 pikë. Prishtina mbetet e pesta me 19.
Ndeshja më e barabartë u zhvillua në Vushtrri. Vushtrriasit fituan ndaj Trepçës me rezultat 30:29. Pjesa e parë ishte plotësisht e barabartë, ndërsa në të dytën në avantazh ishte skuadra vendase. Skuadra mysafire u afrua në një gol në fund dhe madje humbi penallti për të barazuar në 30:30. Kështu fitorja dhe dy pikë i takuan Vushtrrisë. Fitim Klinaku i shënoi tetë gola për Vushtrrinë, ndërsa shtatë i kishte Egzon Ademi.
Nga shtatë gola për Trepçën i shënuan Muhamet Dubovci e Shpëtim Mehmeti. Trepça është e katërta me 26 pikë, ndërsa Vushtrria e gjashta me nëntë.