Rahoveci pret përkrahjen e shikuesve në ndeshjen me skuadrën rumune
Të shtunën prej orës 19:00 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec zhvillohet ndeshja e parë e raundit të tretë të Kupës Evropiane (EHF European Cup).
Kampioni i Kosovës, Rahoveci, përballet me skuadrën e njohur rumune, Minaur Baia Mare. Nëse e kalon këtë raund garash, Rahoveci do të arrinte sukses historik për hendbollin kosovar.
Por Minaur Baia Mare është prej skuadrave më të forta në Kupën Evropiane dhe “vreshtarët” i presin dy ndeshje shumë sfiduese.
Baia Mare ka suksese të shumta si në Rumani ashtu edhe në garat kontinentale. Ka përbërje cilësore me plot hendbollistë cilësorë të huaj dhe llogaritet favorite ndaj kampionit kosovar.
Por te Rahoveci janë të përkushtuar për të dhënë më të mirën në kërkim të suksesit. Për këtë e presin edhe përkrahjen e shikuesve nga tribunat.
Në ndeshjen e kaluar evropiane të Rahovecit, palestra “Mizahir Isma” ishte e mbushur me shikues. Dhe rahovecasit shënuan fitore bindëse ndaj Bocholtit belg për të avancuar në raundin e tretë. Ndeshja e kthimit është në Rumani, kurse fillimisht i gjithë fokusi është te ndeshja e së shtunës mbrëma në Rahovec.