Rahoveci shënon ‘Epopenë e UÇK’-së, nderohen dëshmorët dhe martirët

17 korrik 2020 | 15:00

Në 22-vjetorin e “Epopesë së UÇK”-së, komuna e Rahovecit bashkë me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vendosur pllaka në shtëpitë bazë të UÇK-së në fshatin Drenoc, Dejnë dhe Ratkoc të kësaj komune.

Me këtë rast është vlerësuar lart sakrifica e të rënëve për liri dhe pavarësi, ku është theksuar se luftëtarët e kësaj ane me kontributin e tyre i dhanë kthesë historisë së vendit.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se me vendosjen e pllakave përkujtimore institucionalizohen vlerat e UÇK-së.

Ai ka theksuar se çdo tentim njollosje ndaj UÇK-së nuk do të zë vend në asnjë gjeneratë.

“UÇK-ja është e pandashme nga populli i Kosovës në rrugëtimin e vet dhe çdo tendencë për t’i njollosur vlerat e UÇK-së nuk do të zë vend në këta breza e as në ata që vijnë”, ka thënë Latifi.

Ndërsa ish-luftëtari i UÇK-së, Isuf Gashi, ka thënë se luftimet e korrikut të cilat janë zhvilluar në Rahovec kanë treguar vendosmërinë e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. /Ksp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri se bashku me ministren e…