Rahoveci sonte debuton në garat evropiane
Rahoveci – Cluj Napoca është sfida e parë për “Vreshtarët” në garat evropiane. Një natë historike, ku atmosfera pritet të jetë e jashtëzakonshme, ashtu siç dinë rahovecasit të krijojnë.
Të mërkurën nga ora 20:30 zhvillohet ndeshja e parë në kualifikimet e FIBA Europe Cup, kurse më 9 tetor zhvillohet ndeshja e kthimit në Rumani. Skuadra rumune shihet si favorite, megjithatë Vreshtarët duan të tregojnë një lojë të mirë dhe të jetë një imazh i mirë për basketbollin e Kosovës.
Trajneri i Rahovecit, Neven Plantak, ka folur për përballjen ndaj rumunëve. “Besoj se skuadra rumune është favorite, sepse ka një buxhet shumë më të madh se ne dhe dallimi është i madh. Për klubin tonë është e rëndësishme që të paraqitemi në garat evropiane dhe të jetë një imazh i mirë edhe për basketbollin e Kosovës. Sa i përket ndeshjes, duam të bëjmë një paraqitje të mirë. Megjithatë, Cluj është favorit dhe nuk ka dyshim. Për klubin dhe tifozët është e rëndësishme të kemi paraqitje sa më të mirë. Rahoveci edicionin e kaluar ishte në finale të “play-off”-it dhe Kupës, kurse këtë edicion po marrim pjesë edhe në gara evropiane. Kjo është shumë e rëndësishme për ne dhe shpresoj në paraqitje të mirë, edhe pse e theksoj se Cluj është favorit absolut dhe ka buxhet shumë më të madh se ne”, ka thënë trajneri Plantak për faqen zyrtare të FBK-së.
Klubi ka njoftuar se çmimi i biletës është 2 euro.