Raikkoneni largohet nga Ferrari, vjen Leclerci
Piloti finlandez do të largohet nga “kokëkuqja” italiane në fund të këtij sezoni, lajm që e konfirmon vet skuadra nëpërmjet një komunikate në faqen e saj zyrtare të internetit.
Në komunikatë, Ferrari thekson se Raikkonen do të mbetet në historinë dhe familjen e kësaj skuderie si kampion bote. Raikkonen, i cili u shpall kampion bote në vitin 2007 me Ferrarin, në dy sezonet e ardhshme do të garojë me Sauberin, skuadër me të cilën nisi karrierën e tij në Formulën 1 në vitin 2001.
Për sa i përket pasuesit të Raikkonenit, Ferrari konfirmoi ardhjen e 20-vjeçarit Charles Leclerc vitin e ardhshëm, për të formuar partneritetin me 4 herë kampionin e botës, Sebastian Vettel, raporton “TCH”.
Produkt i akademisë së Ferrarit, Leclerc garon këtë sezon me Sauber Alfa Romeo. Përpara se të kalonte në Botërorin e Formulës 1, 20-vjeçari nga Monako ka fituar tituj në GP3 dhe F2.