
Raiola: Donnarumma mund të qëndrojë përjetë te Milani
Sa herë flet ai, tronditen të gjithë. Për mirë a për keq, edhe pse në të shumtën e rasteve peshorja anon nga kjo e dyta.
Megjithatë, agjenti më i famshëm i futbollistëve, Mino Raiola ka lëshuar një deklaratë “bombë” edhe kësaj herë, pavarësisht se në kontradiktë të thellë me ato çfarë shprehej vitin e kaluar, e madje edhe përpara pak ditësh.
“Donnarumma mund të qëndrojë përjetë te Milani”. Shumë pak fjalë, por tejet të rënda. I pranishëm në Napoli për një shfaqje të titulluar “Football Leader”, superagjenti ka folur për një prej të asistuarve të tij më të rëndësishëm në merkaton e kësaj vere. Pikërisht atëherë kur dukej se fatet e klubit kuqezi dhe portierit po shkonin drejt ndarjes, ja tek vjen një risi e çuditshme.
“Gjithnjë duhen respektuar tifozët, mbi të gjithë ata që janë të zgjuar. Qëndrimi i tij përjetë te Milani ka qenë kërkesë e tifozëve”, do të vijonte më tej Raiola, duke iu referuar numrit 1 të portës kuqezi. Mund të duket si një shaka, për të mos thënë ironi, por Raiola e nënvizon edhe më tej mendimin e tij. “Nuk është ironi, sepse nuk e njoh këtë fjalë. Është më e lehtë që të largohen kinezët nga Milani, sesa të largohet Gigio”.