Raiola zbulon të ardhmen e Pogbas dhe Ibrahimoviçit
Paul Pogba mund të rikthehet te Juventusi gjatë verës dhe konfirmimet vijnë nga vetë menaxheri i kampionit të botës, Mino Raiola. “Vendi i dytë i preferuar i Pogba, është Italia dhe nuk do t’i vinte aspak keq të rikthehej te Juventusi. Megjithatë ka kohë, pasi duhet të mbyllet sezoni dhe të luhet Kampionati Evropian, para se të kalojmë te vendimi për të ardhmen e tij”, ka deklaruar Raiola.
Më pas menaxheri i njohur ka folur edhe për dy klientë të tjerë te tij, që janë portieri i Milanit Gigio Donnarumma dhe sulmuesi kryesor i kuqezinjve, Zlatan Ibrahimoviq.
“Donnarumma është i qetë dhe i përqendruar të bëjë më të mirën e të arrijë zonën Champions me Milanin, pasi kjo është shumë e rëndësishme. Për të ardhmen e tij, duhet të flasim edhe me klubin në lidhje me projektin dhe synimet. Sa i përket Ibrës, për momentin po argëtohet në fushë dhe në fund të sezonit do të jetë ai vetë që do të vendosë nëse dëshiron të vazhdojë apo të tërhiqet”, ka shtuar Raiola.